104 azilkërkues shqiptarë që u kthyen nga Europa nuk futen në karantinë

Ndërkohë që sot janë konfirmuar raste të reja me koronavirus duke e çuar në 10 numrin e të prekurve në Shqipëri, policia njofton se 104 persona janë riatdhesuar nga Franca dhe Gjermania.

Marketing

“Rreth orës 13:30 u riatdhesuan me fluturim charter nga Lille, Francë, 48 shtetas shqiptarë, nga të cilët 43 nga Franca dhe 5 nga Belgjika. Gjithashtu, po sot, rreth orës 14 : 45, u riatdhesuan me fluturim charter nga Gjermania, 56 shtetas shqiptarë, të cilët kishin kërkuar azil në Gjermani” njofton policia duke shtuar se ata janë kthyer mbrapsht “pasi kanë shkelur rregullat e qëndrimit në hapësirën Schengen dhe kishin kërkuar azil”.

Në njoftimin e policisë bëhet gjithashtu me dije se të gjithë këta persona janë lënë të lirë në momentin që kanë hyrë në Shqipëri “pas intervistimeve të thelluara, të zhvilluara nga specialistët e Policisë Kufitare Rinas, në kushte të rrepta të marra për parandalimin e përhapjes së virusit”

Ndërkohë në Francë raportohet për 1370 persona të prekur nga koronavirusi dhe 30 viktima ndërsa në Gjermani, 1261 të prekur dhe 2 viktima.

Sipas specialistëve, një person i prekur nga koronavirusi nuk mund të konstatohet pa shfaqur shenja klinike ose nëse ai nuk vetëdeklarohet nëse ka patur kontakt me persona nga vendet e prekura. Analizat testuese për koronavirusin ka rezultuar pozitive për të prekurit pasi ata kanë shfaqur shenjat e para klinike.

A nuk do të ishte më mirë që 104 shtetasit e riatdhesuar ditën e sotme të kalonin në një karantinë 14 ditore?

Marketing