13-vjetori i pavarësisë në Hagë, Specialja ua mundëson festimin Thaçit e të tjerëve

Kosova feston sot 13-vjetorin e pavarësisë. Disa nga liderët politikë që gjenden në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, ishin pjesë e shpalljes së saj më 17 shkurt 2008. Hashim Thaçi, atëherë kryeministër, e kishte shpallur pavarësinë në Kuvend, ndërsa edhe Jakup Krasniqi, si kryeparlamentar, ishte njëri nga nënshkruesit e deklaratës së pavarësisë. Të dy, por edhe ish-udhëheqës të tjerë politikë e ushtarakë të UÇK-së si Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj e Salih Mustafa, gjenden sot në paraburgim.

Marketing

Gjykata Speciale ka thënë për Gazetën Express se ata mund të mblidhen sot për ta festuar përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mënyra e festës do të varet tërësisht nga të paraburgosurit, thotë gjykata.

“Brenda kërkesave të përcaktuara nga këto rregulla, u takon tërësisht të paraburgosurve të vendosin se si do të donin ta festonin Ditën e Pavarësisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Tutje, gjykata me seli në Hagë ka treguar se si e kalojnë ditën të akuzuarit që po qëndrojnë në paraburgim. Ata mund të mblidhen bashkë edhe gjatë vakteve të ushqimit, sipas rregullave për funksionimin e përditshëm të mjediseve të paraburgimit.

“Të paraburgosurve u lejohet qasja ditore në ajër të pastër dhe ushtrime fizike, si dhe mundësia për të marrë pjesë në aktivitete të tjera të përshtatshme rekreative. Atyre u lejohet të lexojnë dhe shkruajnë materiale dhe kanë qasje në një bibliotekë që përmban libra, revista dhe gazeta në gjuhët e tyre amtare. Përveç kësaj, ata kanë mundësi të përdorin programe radio dhe televizive dhe mund të marrin pjesë në shërbimet fetare ose shpirtërore të disponueshme. Të paraburgosurit në paraburgim të KSC kanë mundësinë të kalojnë kohë së bashku, përfshirë edhe për vaktet e ushqimit”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Marketing