15 vjet nga vdekja e ish-presidentit Trajkovski, avokati i tij pretendon se e kanë vrarë

Sot do të shënohet 15-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Maqedonisë, Boris Trajkovski, i cili humbi jetën në një aksident ajror në Rotmile në afërsi të Mostarit.

Marketing

Në Shkup, në Alenë e Kolosëve tek Varrezat e Qytetit në Butel lule në varrin e Trajkovskit do të vendosin anëtarët e familjes së presidentit, delegacione dhe qytetarë.

Në fatkeqësinë ajrore që ndodhi më 26 shkurt të vitit 2004 humbi jetën presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Boris Trajkovski dhe delegacioni tetë-anëtarësh, i cili ka udhëtuar për në konferencë ndërkombëtare në Mostar.

Për fatkeqësinë e cila ndodhi në atarin e fshatit Huskoviq, në afërsi të Mostarit, për shkaqet e rënies së “kingerit”, për atë nëse ka qenë aksident ajror apo ka qenë “terrorizëm”, prej atëherë e deri më tani janë kryer dy hetime dhe janë publikuar dy raporte, të dy komisioneve me të cilët kryesuan Sallko Begiq dhe Omer Kuliq, e në të cilët morën pjesë edhe ekspertë nga Maqedonia.

Në të dy raportet, të cilët dallojnë nga njëri-tjetri, megjithatë, si shkak për rënien e “kingerit” theksohen  gabimet e pilotit dhe mangësi të tjera indirekte të sistemit.

Në aksidentin ajror krahas presidentit Boris Trajkovski, jetët i kanë humbur edhe zëdhënësja Dimka Ilkova-Boshkoviq, këshilltarët Risto Bllazhevski dhe Anita Krishan Llozanovska, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mile Kërstevski, truprojat Ace Bozhinovski dhe Boris Velinovski, si dhe piloti dhe bashkëpiloti Marko Markovski dhe Branko Ivanovski.

Pançevski: Trajkovski u vra!

Boris Trajkovski është vrarë kurse dëshmia më e re se bëhet fjalë për atentat gjendet në Maqedoni. Këtë pretendim një vit më parë e ka theksuar Ignat Pançevski, avokati i familjes të njërit prej të pësuarve në aksident para medieve.

Ai gjithashtu potencoi se i tërë operacioni ka qenë gjatë kohë e përgatitur dhe se në të kanë marrë pjesë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Si dëshmi materiale Pançevski thekson ekzistimin e një audio dhe incizimi me satelit, por nuk i dorëzoi materialet duke shpjeguar se nëse shpallen nuk do të mund të përdoren si dëshmi.

“Në Maqedoni janë dorëzuar video materiale se si një avion ushtarak me shenja të një shteti të njohur, me raketë qëllon Kingerin, si është qëlluar krahu i Kingerit, njëkohësisht, si Kingeri bie në tokë, si shpërndahen pjesët gjatë rënies, si kanë ardhur disa makina ushtarake.Në Maqedoni gjenden të gjithë dëshmitë, por nuk ekziston gatishmëri nga organet kompetente  që të arrihet përfundimi”, ka thënë avokati Ignat Pançevski.

Marketing