2019-a, vit i dështimit ekonomik

Rritja e transparencës për harxhimin e parave të popullit, apo e llogaridhënies për harxhimet e mbi 1100 institucioneve shtetërore, rritja e ndihmës sociale në mbi 11 mijë denarë, rritja e pagës minimale në 14.500 denarë, përmirësimi i shfrytëzimit të mjeteve IPARD me mbi 1200 kontrata të nënshkruara të vlefshme afër 29 milionë euro në vitin e kaluar… apo paga më të larta në arsim, shëndetësi dhe arsim, rritje të pensioneve për 700-900 denarë dhe subvencione për firmat nëse rrisin pagat prej 600 deri 6000 denarë…. Janë këto një pjesë e të arriturave të ekzekutivit në vitin e kaluar dhe që priten të realizohen në vitin 2020. Mirëpo, siç ndodh zakonisht, po përsëriten lëvizjet poshtë-lartë dhe anasjelltas të investimeve kapitale dhe investimeve të huaja, shkruan gazeta KOHA.

Marketing

Vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 131 milionë euro investime të huaja. Kjo shumë është për pesë herë më e vogël se vlera e 614 milionë euro të investuara në vitin 2018. Në fakt, në rezultatet kaq të dobëta të investimeve të huaja ka ndikuar edhe një shumë e madhe prej 262 milionë euro që si vlerë është kthyer ndaj kompanive në nëntë muajt e parë të këtij viti. Në ndërkohë, edhe realizimi i investimeve kapitale ngjashëm me vitet e kaluara – sërish lë për të dëshiruar. Deri në muajin shtator 2019 janë realizuar afër 8.5 miliardë apo afër 33 për qind të mjeteve të parashikuara për investime kapitale. Ekspertët ekonomik thonë se situata politike në shtet, shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, aferat e ndryshme përgjatë tërë vitit… patjetër se kanë ndikim negativ në vendimet e investitorëve të huaj që të investojnë apo jo në Maqedoninë e Veriut.

“Një prej arsyeve që kemi një nivel të ulët të investimeve të huaja është edhe ambienti politik jo i favorshëm jo vetëm tek ne, por edhe në rajon. Mirëpo neve, sikur na mungon edhe një fushatë më agresive për të joshur investitorët e huaj që të vijnë dhe investojnë në vend për shkak se askush nuk do të vijë vetvetiu këtu, por ne duhet të shkojmë tek ata që ti bindim për të investuar. Nevojitet të përmirësohet edhe ambienti i përgjithshëm ekonomik në vend, ku sfidë e përhershme mbetet administrata dhe gjyqësori më efikas , lufta kundër korrupsionit etj”, thotë profesori universitar Nasir Selimi.

Sipas tij, nevojitet që të hidhet poshtë edhe fama se duhet të tërheqim investitorë të huaj përmes fuqisë së lirë punëtore. “Për investitorët e huaj, më shumë ka rëndësi aftësimi profesional dhe shkathtësitë që posedon një punëtor sesa kostoja e punës së tij. Njëherazi duhet tejkaluar edhe situata ku sistemi i ynë arsimor nuk nxjerr kuadro profesionale dhe të specializuara, por nxjerr kuadro me njohuri jo të posaçme, por të përgjithshme”, shpjegon Selimi një nga problemet me të cilat ballafaqohen investitorët e huaj për gjetjen e fuqisë së nevojshme punëtore. Lidhur me realizimin e dobët të investimeve kapitale, ai thotë se kjo është një çështje dhe problem që po përsëritet nga të gjitha qeveritë në të kaluarën

“Tanimë mund të themi se është bërë traditë që investimet kapitale në vend për vite me radhë nuk po realizohen deri në fund, apo se dështon realizimi i investimeve kapitale, të cilat nuk konkretizohet deri në fund. Kemi problem jo edhe aq me planifikimin e kujdesshëm të tyre, por kryesisht me planifikimin e një buxheti më të madh apo megaloman, si dhe fryrjen e investimeve kapitale në fillim të vitit që pastaj, pas gjashtë apo nëntë muajsh – të realizohen në shuma më të vogla seç parashikohen”, thotë Selimi. Sipas tij, edhe Buxheti 2020 është më shumë social se sa zhvillimor e që nuk do të krijojë një ambient për rritje më të madhe ekonomike në shtet. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, i cili do të kryejë funksionin e tij deri në Vit të Ri, thotë se në dy vitet e kaluara, në shtet ka pasur tema të rënda dhe të nxehta për tu zgjidhur, andaj edhe numrat në ekonomi nuk janë dominuese. Sipas tij, në periudhën 2017-2019 janë realizuar investime të huaja me vlerë prej 741 milionë euro, ndërsa në periudhën 2015-2017 ka pasur investime prej 550 milionë euro, derisa në periudhën 2013-2015 ka pasur investime të huaja prej 450 milionë euro. Me fjalë të tjera, në dy vitet e fundit kemi 33.5 për qind më shumë investime të huaja në raport me dy vitet paraprake. Ai madje paralajmëron se në shtet kanë filluar të realizohen edhe tre investime të reja.

“Një nga investimet që do të realizohen është fabrika për automjetet hekurudhore ‘Loko Trans’, e dyta është një kompani nga Bullgaria e Teknologjisë Informatike dhe e treta është ‘Dura’ e industrisë së veturave që do të hapë dy fabrika. Këto janë investime me vlerë më të madhe se 100 milionë euro”, thotë Angjushev. Në ndërkohë, investitorët e huaj ankohen për ndryshime të shpeshta të ligjeve, mos sigurimin e sundimit të së drejtës, ekonominë informale… Ato vlerësojnë se vendimet e tyre për të investuar në një shtet i bazojnë në më shumë tregues si – stabiliteti politik, sistemi transparent juridik, infrastruktura përkatëse dhe sistemi tatimor, përderisa subvencionet dhe mbështetja tjetër si zakonisht nuk janë aspektet kryesore gjatë miratimit të vendimeve të tilla. Andaj, këto gjëra duhet ti marrin parasysh kreatorët e politikave ekonomike në shtet. Mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore është një problem se vjen e më i madh për kompanitë e huaja që vendos në pikëpyetje edhe zhvillimin e bizneseve dhe të ekonomisë vendore.

Nga Këshilli i Investitorëve të Huaj kërkojnë zhvillimin e modeleve funksionale të transferit të të punësuarve nga sektori publik në sektorin privat që do të jenë atraktiv edhe për punëtorët edhe për punëdhënësit. Modele për nxitjen e punësimit të personave me shkallë më të ulët të arsimit apo që nuk posedojnë kualifikime. Zgjerimin e mundësive për zhvillimin profesional, qasjen rajonale gjatë ndarjes së ndihmës shtetërore për krijimin dhe mbajtjen e vendeve të reja të punës ku duhet të parashikohen dukshëm më shumë mjete për kompanitë jashtë Shkupit, etj. Nga ana tjetër, analizat e ndryshme tregojnë se ulja apo mos realizimi i investimeve kapitale në vitet e kaluara nuk po krijon kushte për rritje më të madhe ekonomike, si dhe rritjen e konkurrencës së ekonomisë vendore. Nga Qendra për Analiza Ekonomike thonë se në periudhën 2009-2018, lartësia e investimeve kapitale nuk ka tejkaluar vlerën e 20 miliardë denarë, apo me fjalë të tjera – në dhjetë vitet e kaluara nuk janë harxhuar më shumë se tre miliardë euro për investimet kapitale.

Një trend i tillë i mos realizimit të investimeve kapitale të planifikuara nga buxheti për periudhën më të gjatë se një dekadë, udhëzon për mungesa në procesin e planifikimit, harmonizimit me prioritetet, ngecjen në furnizimet publike dhe kapacitetin e dobët administrativ për menaxhment projektues thonë nga Qendra për Analiza Ekonomike. Andaj nevojitet një reformim i këtij procesi si dhe planifikim dhe realizim objektiv në suaza afatmesme. “Në pjesën e ekonomisë politike, rebalancet e rregullat me ngushtimin e harxhimeve kapitale për llogari të transfereve dhe rritjes së pagave dhe pensioneve pa mbajtur llogari për produktivitetin e ekonomisë udhëzon për një problem akut me populizmin akut dhe ngushtimin e horizontit për cikle kapitale deri cikle politike të koalicioneve në pushtet”, thonë nga Qendra për Analiza ekonomike. Ndryshe, biznesi në vitin e kaluar është ankuar edhe për vendosjen e tatimit prej 18 për qind që në dhjetë muajt e kaluar e paguanin qytetarët me të ardhura mbi 90.000 denarë në muaj. Qëllimi i rritjes së tatimit nga 10 në 18 për qind ishte të mundësohet sistem më i drejtë i tatimimit të të ardhurave të qytetarëve, zvogëlimi i jo barazisë sociale si dhe rritja e të ardhurave në arkën e shtetit. Në fillim të muajit nëntor u paralajmërua ngrirja e kësaj mase në 36 muajt e ardhshëm me faktin se ai nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Nga Oda Ekonomike Amerikane që përfaqëson më shumë se 125 biznese serioze në shtet qysh në vitin 2018, paralajmëroi se vendosja e këtij tatimi nuk do të sjellë efektet e dëshiruara për përmirësimin e barazisë sociale, ndërsa do të zvogëlojë produktivitetin , punësimin dhe zhvillimin e kuadrove me kualifikime të larta. Njëherazi vlerësuan se do të rritet edhe ekonomia informale. (koha.mk)