22-vjetori i Epopesë së UÇK-së

Zyra e kryeministrit të Kosovës ka publikuar agjendën e aktiviteteve për 22-vjetorin e Epopesë së lavdishme të UÇK-së dhe komandantit të saj legjendar Adem Jashari.

Marketing

Në programin për datën 5 mars është paraparë që ora e parë mësimore në të gjitha shkollat e Kosovës do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.

Në ora 09:00 do të mbahet seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, ku të pranishmëve do t’iu drejtohet kryeministri Albin Kurti.

Po ashtu do të ketë seanca solemne të Kuvendeve Komunale, ku do të mbahet edhe mbjellja e 59 fidanëve nga zyrtarët e komunave dhe nxënësit, në vendin e caktuar nga komunat përkatëse.

Në ora 12:00, në kazermën “Adem Jashari” bëhet parakalimi i Ushtrisë së Kosovës, ku trupave të FSK-së do t’iu drejtohen me fjalë rasti presidenti Hashim Thaçi, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues nga familja Jashari.

Më 6 mars, në ora 09:00 bëhen homazhe dhe vizita në Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz, ku do të ketë vendosje kurorash nga tre liderët shtetërorë.

Në ora 12:00 bëhen homazhe në të gjithë Komplekset Memoriale të Dëshmorëve të UÇK-së, ndërsa në ora 17:00 mbahet akademi përkujtimore kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

Të pranishmëve u drejtohen me fjalim presidenti Hashim Thaçi, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, historiani Agim Vinca, kryetari i Shoqatave të dala nga lufta Hysni Gucati dhe përfaqësues nga familja Jashari.

Në ditën e tretë dhe të fundit të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, më 7 mars, në ora 12.00 bëhen homazhe pranë shtëpisë së familjes Jashari, në Prekaz, ku do të marrin pjesë kryeministri Kurti dhe kryeparlamentarja Osmani.

Në ora 18:00 mbahet Nata e Zjarreve në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku do të ndizen flakadanët, si dhe do të mbahet një program kulturor – artistik në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Marketing