25 mjekët e angazhuar në projektin “Alo Mjeku” tanimë nëntë muaj nuk kanë marrë rroga. Edhepse projekti në fjalë ka përfunduar në dhjetor, mjekëve me automatizëm iu është ndërprerë kontrata, por jo edhe puna e tyre. Mjekët, edhepse pa pagesë vazhdojnë ta mbajnë funksionimin e këtij shërbimi për 24 orë të tëra gjatë shtatë ditëve të javës. Edhe pse u ka skaduar kontrata, nga Ministria thonë se e kanë vazhduar projektin, por nuk u ka sigluar buxhet për pagat.

Ministria e Shëndetësisë

“Në buxhetin për vitin 2018 nuk janë paraparë mjete financiare për personat e angazhuar që punojnë në projektin “Alo Mjeku”. Për këtë arsye, ministria e Shëndetësisë ka ndërmarre aktivitete që të sigurohen para për pagesën e personave të angazhuar e cila do të ndodhë gjatë muajit tetor. Planifikojmë që ky projekt të vazhdojë me realizim edhe në periudhën që vjen.”

Qendra e konsultave mjekësore telefonike “Alo Mjeku” ka filluar me punë më 15 shtator të vitit 2014. Në këtë qendër janë të punësuar mjekë nga sfera të ndryshme mjekësore, të cilët konsultohen nga ana e qytetarëve përmes linjës telefonike, zakonisht për raste urgjente./Alsat-M