25 vjet UT, Xhaferri: Ne e shohim ardhmërinë tonë, ardhmërinë e shtetit por edhe ardhmërinë e botës në Ju

Me rastin e Shënimit të 25 vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, në Akademinë solemne kreu i kuvendit Talat Xhaferri mbajti fjalim para të pranishmive.
Dëshiroj që në fillim të fjalës sime përshëndetëse të uroj shënimin e përvjetorit të 25-të të themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe të uroj edhe shumë jubile dhe suksese madhështore për këtë tempull të arsimit. Sot, kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të shpreh urimet e përzemërta para auditorit të kësaj Akademie Solemne e cila është mënyra më e drejtë e shënimit të ngjarjeve që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin historik dhe kuptohet arsimor të gjeneratave të kaluara, aktuale dhe të ardhme të një populli dhe shteti. Natyrisht se çdo universitet ka historikun e vet të themelimit, të rritjes, zhvillimit dhe pozicionimit në shkallën e merituar dhe kjo ka të bëjë natyrisht me atë se sa një popull e kupton dhe e mbështet vlerën e tempullit të diturisë. Dhe, Universiteti Shtetëror i Tetovës, i ka të gjitha, apo jo? Popull i cili e ka kuptuar vlerën e arsimit në gjuhën amtare dhe për këtë ka ndarë kafshatën e bukës, studentë vullnetfortë dhe të etur për dije, dhe njerëz të guximshëm të cilët nuk kanë hezituar në asnjë çast për të mbrojtur këtë të drejtë me trupin dhe me jetën e vet. Fillimi ka qenë i jashtëzakonshëm, dikush do të kishte thënë edhe i papranueshëm për kohën në të cilën ka qenë zanafilla e tij, sepse e drejta të mësosh në gjuhën amtare nuk guxon të mohohet. Por, ja se kjo ndodhte para 25 viteve dhe as ne, as gjeneratat e sotme, as gjeneratat e ardhme, nuk guxojmë ta lëmë në harresë këtë sakrifikim dhe betejë rezultatin dhe frutat e së cilës sot i gëzojnë gjeneratat e shumta që kanë dalë dhe do të vazhdojnë të dalin nga këto banka universitare.
Zonja dhe zotëri,
Profesorë dhe arsimdashës, ligjërues të nderuar në këtë universitet i cili akoma renditet ndër universitetet e ri botërorë. Detyra juaj nuk është e lehtë dhe sigurisht se edhe aspak naive. Përkundrazi, krahas asaj që është tejet fisnike dhe mund të quhet prindërore dhe të vihet afër nivelit të njëjtë me rolin e nënës dhe familjes, mbi të gjitha është e përgjegjshme dhe rezultatet e saj janë edhe si të dukshme dhe të matshme. Gjithçka që do të investohet në këto fidanë të rinj, në të ardhme do të na kthehet si një bumerang i cili ose do të jetë plot vlera dhe virtyte, ose do të jetë goditje e cila do e tronditë dhe shembë botën në të cilën jetojmë. Prandaj, le të jemi të kujdesshëm se sa dhe si i përgatisim të rinjtë tanë për ballafaqim me sfidat dhe vështirësitë që i presin pasi të dalin jashtë dyerve të universitetit. Le të mbjellim në to cilësi fisnike, vullnet për punë dhe ndjenjë bashkësie, duke i mësuar të besojnë, të mbështeten dhe të bashkëpunojnë me njëri tjetrin, me kolegët e tyre prej universiteteve tjera në shtet dhe në botë. Bashkimi i dijenisë tuaj, me energjinë dhe kureshtjen e studentëve të rinj, mund të sjellë vetëm suksese dhe arritje të reja shkencore dhe, kuptohet, shkenca është ajo që e lëviz motorin e përparimit të mëtejshëm të botës. Por, edhe pse jam i vetëdijshëm se numri i regjistrimeve të reja është vendimtar për vazhdimin e jetës së një universiteti, unë kisha apeluar që kualiteti e jo kuantiteti të jetë udhërrëfyesi juaj, cilësia e vërtetë dhe kuptimi i një të vërtete se, ju, dera juaj duhet të jetë gjithmonë e hapur për të ndihmuar, këshilluar dhe mbështetur studentët e rinj.
Studentë të dashur,
Ju uroj sukses, ju uroj vullnet dhe ambicie, mos i kufizoni horizontet tuaja të kureshtjes me “mirë është”, “mjaftë është”, por, gjithmonë kërkoni edhe pak më tepër, edhe më shumë sepse, gjithë suksesi ose dështimi që do e hasni në jetë, do të jetë i bazuar në punën dhe angazhimin që e keni dhënë tani, derisa jeni në bankat universitare. Ky është vendi ku ju pajiseni me dituri, vendi ku hulumtoni, analizoni, zbuloni bota të reja, universe të reja, mos hezitoni, mos u trembni nga e panjohura sepse ju mundeni. Ne e shohim ardhmërinë tonë, ardhmërinë e shtetit por edhe ardhmërinë e botës në ju. Bota është tani e globalizuar, e dini edhe vetë se sa afër është edhe pika më e largët e saj, gjegjësisht, larg sa një klikim. Shfrytëzoni përparësitë e këtij globalizimi për të mirë, shfrytëzoni ato për të bashkuar idetë, mendimet, energjinë tuaj për të ndërtuar vlera të vërteta, vlera që do të kontribuojnë në avancimin e shoqërisë sonë, në zhvillimin e shtetit tonë dhe më gjerë, botës.
Të nderuar të pranishëm,
Edhe pse universitetet janë institucione autonome, me statute dhe rregulla të veta, përsëri, për të siguruar jetëgjatësinë e tyre, është vendosur trekëndëshi i cili përbëhet prej stafit akademik, studentëve dhe zërit në Buxhetin shtetëror i cili natyrisht, çdoherë mund të jetë më i lartë. Ndërsa roli i Kuvendit në këtë trekëndësh, përveç që është i rëndësishëm në arritjen e alokimit të mjeteve sa më të larta për arsimin, është i rëndësishëm edhe në pjesën e legjislacionit në fushën e arsimit të të gjitha niveleve. I njëjti duhet të jetë në përputhje dhe përshtatur nevojave të kohës bashkëkohore. Për të miratuar ligje sa më të mira, dhe këtu natyrisht nuk mendoj vetëm të shkruara bukur por ligje që edhe në terren japin rezultatet më të mira, ne kemi hapur dyert për të dëgjuar zërin e atyre të cilët edhe i prekin ligjet. Në Kuvend është rritur numri i debateve publike, debateve mbikëqyrëse, ftohen ekspertë të fushës së arsimit dhe jemi të hapur ndaj nismave të ndryshme për përmirësimin e legjislacionit. Kjo është ajo që mund ta bëjmë për të krijuar kushte të volitshme për rininë tonë, për hapjen e flatrave të tyre dhe zgjerimin e horizonteve të tyre, në të njëjtën kohë për krijimin e kushteve të favorshme që ato të duan të mbesin, të krijojnë dhe kontribuojnë këtu, në vendlindjen e vet, duke e zhvilluar shtetin e vet. Ato janë investimi ynë në jetëgjatësinë, përparimin dhe krijimin e një bote më të mirë, më të zhvilluar dhe njëkohësisht më demokratike dhe humane për të gjithë.
Të nderuar miq,
Jam i sigurt se Universiteti Shtetëror i Tetovës, ka staf akademik dhe studentë të zellshëm të cilët bashkë do të prodhojnë vlera dhe do të japin rezultate që do e pozicionojnë institucionin arsimor, veten dhe gjithë shoqërinë në piedestalin më të lartë të botës akademike.
Dhe përsëri, ju përuroj dhe uroj të shënojmë edhe shumë përvjetorë të suksesshëm të Universitetit të Tetovës!
Faleminderit për vëmendjen!

Marketing