Gjykata e Apelit i ndryshoi nëntë dënimet e para me kusht për dhunë në Kuvend më 27 prill, në burg efektiv. Nëntë të akuzuar në maj të vitit të kaluar pranuan se kanë qenë pjesë e turmës e cila ka kryer dhunë, ndërsa Gjykata Penale ndaj të gjithëve shqiptoi dënime me kusht.

Pas ankesave të Prokurorisë, Apeli dënimet me kusht i ndryshoi në dënime efektive me burg dhe që të nëntë personat e akuzuar tani duhet të vuajnë burgun. Dënimi më i lartë është shqiptuar ndaj Dimçe Hristovskit me nofkën “Zhaba”, i cili ishte i dënuar me një vit e gjysmë burg me kusht.

Nga Gjykata e Apelit për Alsat M shpjeguan se vendimet për burg efektiv do t’i dërgojnë sot pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1 ndërsa sistemimi i nëntë personave në burg është detyrë e Gjykatës Penale.