“27 prilli”, Nuhiu: Urdhërova aksion, nuk u mor parasysh

Në vazhdimin e gjykimit për dhunën e 27 prillit në kuvend, dëshmoi ministri teknik i brendshëm, Agim Nuhiu.

Marketing

Ai tha se në periudhën kur ndodhi sulmi, përmes mesazheve disa herë e ka informuar ish drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, se në Kuvend diçka po ndodh dhe se duhet intervenuar urgjentisht, por Çavkov i ka kthyer dy SMS se “Në Kuvend nuk po ndodh asgjë”.

I shqetësuar nga situata e tensionuar dhe bllokimi i dyerve të Kuvendit, që e ka ndjekur përmes televizionit, si dhe nga mospërgjigjja e Çavkovit në telefon, Nuhiu i ka kërkuar disa herë radhazi policit kujdestar në shtabin operativ, Dushko Llazarev, që të përgatisë aksionin “Platforma” për evakuimin e deputetëve nga Kuvendi, por ky i fundit disa herë ka dalë jashtë për të biseduar me dikë në celular.

Nuhiu gjithashtu tha se nuk ka qenë i informuar se do të ndodhte sulmi në Kuvend. Atë natë Nuhiu dhe Çavkovi janë takuar pas orës 20 tek shtabi operativ, por Çavkov nuk e ka parë të arsyeshme t’i japë përgjigje përse nuk e ka organizuar aksionin më herët. I ka thënë vetëm se në Kuvend “po ndodh diçka nga populli” dhe asgjë më shumë, tha në dëshminë e tij Nuhiu.

Për ngjarjet e 27 prillit dëshmi dha edhe kryetari aktual i Shuto Orizares, Kurto Dudush, dhe gazetarja e televizionit “24 vesti”, Dushica Mërgja. Dudush tha se e ka parë të akuzuarin, Igor Durllovskin, në Kuvend, por pa i kujtuar nëse i njëjti ishte duke udhëhequr grupin e sulmuesit që pushtuan Kuvendin.

Mërgja tha se policia nuk ka qenë prezent në momentin e sulmit ndaj deputetëve dhe të pranishmëve të tjerë në Kuvend.
I akuzuari, Velija Mihajllovski, kërkoi më herët nga trupi gjykues që masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me burgim shtëpiak, pasi që dëshiron të qëndrojë me familjen e vet. I premtoi gjykatësve se nuk do të arratiset, pasi që u shpreh i bindur se e vërteta për të do të dalë në shesh dhe se nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Në bankën e të akuzuarve janë 33 persona, prej të cilëve 31 akuzohen për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë nga neni 313 i Kodit Penal, ndërsa dy për ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale.