Na kërcënuan se do të na vrasin. Pothuajse dy orë duruam sulme fizike dhe verbale. Ishim të përgjakur nga goditjet nëpër kokë dhe trup, deklaroi kryeministri Zoran Zaev në Gjykatën penale në Shkup, duke dëshmuar për ngjarjet më 27 prill të vitit 2017 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Në pyetjet e drejtpërdrejta nga prokurorja Vilma Ruskoska, Zaev tha se më 27 prill të vitit të kaluar derisa ishte në Kuvend në sallën e konferencave në monitorët ka parë si në Kuvend po hynte turma e njerëzve.

“Si çdo njeri normal, ishim të frikësuar dhe tentuam disi të mbrohemi nga sulmi eventual ndaj nesh. Në atë kohë u inkuadrua një anëtar i sigurimit kuvendor që më ofroi evakuim nga Kuvendi, por nuk e pranova sepse mu ofrua vetëm mua e jo edhe për deputetët tjerë. Deri në atë moment njerëzit ishin afër dyerve të Kuvendit dhe arritën të hynin. Hynë njerëz të cilët pa kurrfarë mendimi u nisën drejt nesh për të na sulmuar”, e vazhdoi dëshminë Zaevi.

Shtoi se me hyrjen e njerëzve në sallën e konferencave, ai dhe deputetët iu ekspozuan sulmeve të vazhdueshme fizike dhe verbale të cilat zgjatën pothuajse dy orë.

“Vriteni Zaevin. Vritni deputetët. Kapini tradhtarët. Paralelisht duruam edhe sulme fizike. Ishim të përgjakur nga goditjet nëpër kokë dhe trup. Unë kisha gjashtë çarje në kokë nga të cilat tre në fytyrë. Një pjesë e njerëzve tentuan në çdo mënyrë të mundshme të marrin jetë. E di çka do të thotë rrahje dhe dikush të rrihet, por unë personalisht gati dy orë kam pritur se do ta humbja jetën”, tha Zaev.

Tha se përveç sigurimit edhe vetë janë mbrojtur dhe se kjo ishte vendimtare që të ruhen jetët.

“E konsideroj veten si njeri të mençur dhe e di kur është qëllimi dikush fizikisht të sulmohet e kur t’i merret jeta. Më vjen keq për atë ngjarje, por jam i gëzuar që nuk ka viktima”, tha Zaev.

Sipas tij, më i tmerrshëm ishte momenti kur në rendin e dytë pas sulmuesve shëtisnin njerëz të cilët ishin urdhërdhënës dhe shikonin objektiv të pastër, me siguri, siç tha, për të goditur me diçka ose të gjuajnë. “Them të gjuajmë me armë sepse ishte e dukshme se një pjesë e atyre njerëzve mbajnë armë zjarri dhe mund ta përdorin. Ato dy orë janë dukur si një përjetësi”, tha Zaev.

Shtoi se kanë tentuar të kërkojnë ndihmë nga kolegët dhe personat zyrtarë, por për fat të keq nuk kanë mundur të marrin informacione se policia do të vijë dhe do t’i shpëtojë.

“Zaev ti je i ardhshmi, ti je i ardhshmi sepse Selën e vramë, ja ku është i shtrirë. Ti je i ardhshmi dhe më pas edhe të tjerët. Në turmën e njerëzve shihej i shtrirë trupi i Selës me gjak dhe në atë moment mendova se me të vërtetë është i vdekur”, tha Zaev.

Paraprakisht në seancën e sotme për ngjarjet në Kuvend më 27 prill, dëshmuan edhe deputeti Vesel Memedi dhe ish-deputeti Nikolla Todorov.

Sot deklarata para Gjykatës duhet të japë edhe ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski.