Qeveria respekton në tërësi rekomandimet e Komisionit të Venecias në lidhje me përfshirjen e përfaqësuesve qeveritarë në fushatën për referendumin e 30 shtatorit, thotë zëdhënësi qeveritar, Mile Boshnjakovski.

Sipas tij, është mirë që rekomandimet e këtij komisioni të interpretohen në mënyrën e duhur. Qeveria ndërmerr aktivitete në kuadër të përcaktimeve programore për interesat strategjike të Maqedonisë për integrim në NATO dhe BE, dhe aktivitetet e përditshme të ekzekutivit, janë të lidhura pikërisht me këtë interes strategjik për vendin, sqaron Boshnjakovski.

“Gjatë 27 viteve të pavarësisë së Maqedonisë ne nuk kemi pasur qeveri, e cila nuk ka pasur prioritet dhe interes për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe në BE. Siç kemi paralajmëruar, qeveria ka ndarë 400 mijë denarë për promovim nëpër rrjetet sociale të benefiteve që do t’i ketë Maqedonia nga hyrja në NATO dhe BE, dhe atë do ta punojmë në kuadër të aktiviteteve të përditshme. E gjithë qeveria do të jetë e kyçur në procesin e promovimit të referendumit dhe të asaj se çka do të ndodhë pastaj”, – deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.