Dogana e Anglisë ka bërë të ditur se është duke i hetuar 44 klube dhe 171 lojtarë të përfshirë në nivelet e ndryshme të futbollit në Angli, për shkak të dyshimeve se ata i janë shmangur pagimit të taksave.

Autoritetet për pagimin e taksave në Britani të Madhe i kanë rikthyer rreth 374 milionë euro nga taksat që nuk ishin paguar nga personat e përfshirë në industrinë e futbollit që nga sezoni 2015/2016, transmeton Gazeta Express.

Së fundi, Dogana e Anglisë e ka konfirmuar se është duke i hetuar 44 klube angleze, 171 futbollistë si dhe 31 agjentë për mos pagimin e taksave. Ky numër ka pësuar rritje të madhe në krahasim me shtatorin e kaluar, kur nën hetim ishin 90 futbollistë, 38 klube dhe 13 agjentë.

“Ne jemi duke i analizuar me kujdes marrëveshjet individuale mes klubeve të futbollit dhe lojtarëve të tyre për t’u siguruar se ata janë duke e paguar shumën e duhur të taksave në Britani të Madhe”, ka thënë zëdhënësi për media i Doganës.

“Për momentin, jemi duke i hetuar rastet e 171 futbollistëve, 44 klubeve të futbollit dhe 31 agjentëve për disa probleme të ndryshme, përfshirë këtu edhe abuzimin e të drejtave të imazhit”.

Dogana e Anglisë dyshon se klubet dhe futbollistët kanë qenë duke i shfrytëzuar të drejtat e imazhit për të mos i paguar taksat. Që nga viti 2000, futbollistët e kanë pasur mundësinë t’i trajtojnë paratë e fituara nga të drejtat e imazhit si të veçanta nga paratë e fituara në klubet e tyre.

Artikulli paraprakBolt: Unitedi do ta mposhtë Juventusin
Artikulli tjetërJançev: VMRO-DPMNE tregoi se nuk ka vend per personat që mendojnë ndryshe në këtë parti