Nënshkruhen marëveshjet,do të ndërtohen 11 elektrana fotovoltaike

11 elektrana fotovoltaike do të ndërtohen në tokë shtetërore në Sveti Nikollë dhe Makedonski Brod, me vlerë të përgjithshme të instaluar prej 35 megavatësh.

Marketing

Marrëveshjet u nënshkruan në qeveri, me nëntë kompanitë të cilat në aukcionin elektronik nuk kanë kërkuar premi shtesë, që do të thotë se 2.7 milion eurot do të mbeten në buxhet.

“Koncepti i sigurimit të tokës shtetërore, që është detyrim i shtetit, dhe ne që do të ndërtojmë qendrën dhe do të gjenerojmë energji elektrike në vitet e ardhshme, paraqet një zgjidhje inovative.”,- deklaroi investitori, Igor Koprivnik.

“Investimi do të mbarojë në afat prej shtatë muajve prej kur do të fitohet leja për ndërtim dhe gjithsesi kyçjet për lidhje me rrjetin energjetik distributiv. Energjia që do të prodhohet nga kjo qendër fotovoltaike do të shitet në treg të lirë, pa pjesëmarrje të subvencioneve nga ana e shtetit.”,- tha investirori, Anton Kajtazi.

Këto investime në sektorin energjetik, sipas ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, mundësohen me Ligjin e ri të Energjetikës. Investimet e tilla, sipas tij, kontribuojnë edhe në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

“Deri në këto momente që po flasim pothuajse në tërë shtetin nuk ka të instaluara më shumë se 20 megavat, pra kapacitet të gjenerimit të energjisë elektrike nga dielli dhe pikërisht vetëm në një afat kohor prej 1 viti mundësuam që të rrisim apo të dyfishojmë kapacitetin e gjenerimit të energjisë elektrike, duke mos përfshirë këtu edhe investimet që do të bëhen në tokë private.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Këto marrëveshje u nënshkruan pas shpalljes së parë të tenderit për ndërtim të fotovoltaikëve në tokë shtetërore. Thirrja e dytë publike e cila është për ndërtimin e fotovoltaikëve në tokë private është në rrjedhë dhe në të janë paraqitur 43 ofertues.