Rasti’Titanik 3′ u dëgjua dëshmitarja nga Gjermania

Me dëshminë e Resmije Beslimovskas vazhdoi gjykimi për rastin “Titanik 3”, që ka të bëjë për parregullsitë zgjedhore në vitin 2013 në Çair. Përmes lidhjes së drejtpërdrejt nga gjykata në Gjermani, Beslimovska tha se të dyshuarit në këtë rast, Alimi dhe Guri, disa herë kanë hyrë në zyrën e komunës së Çairit, ku janë mbajtur procesverbalet dhe kanë dashur të ndërhyjnë në procesverbalet. Sipas saj, dy të akuzuarit disa procesverbale i kanë marrë duke i fshehur nën xhaketë dhe më vonë i kanë kthyer sërish.

Marketing

Resmije Beslikovska, e cila ka qenë pjesë e Këshillit Zgjedhor në një vendvotim në Çair, e që tani jeton në Gjermani, po ashtu tha se ndaj këtyre veprimeve fare nuk ka reaguar, pasi që ka qenë e frikësuar t’i kundërshtojë. Avokatët mbrojtës vlerësuan se dëshmia e Beslimovskas është kontradiktore dhe konfuze. Për këtë arsye ata dorëzuan edhe ekspertizë grafologjike e bërë jashtë vendit, e cila do të dëshmojë të kundërtën për këtë rast.

“Ekspertiza grafologjike, e cila nuk mundej të bëhej këtu për shkak të mungesës së grafologëve të licencuar, pala mbrojtëse e bëri jashtë shtetit. Nga ekspertiza grafologjike u vërtetua se Ejup Halimi në asnjë moment nuk ka korrigjuar numra dhe ndryshuar nënshkrime në procesverbalet dhe në këtë ekspertizë e kemi propozuar si dëshmi dhe gjykata e ka pranuar dhe tani ua lëmë gjykatës të bëjë verifikimin e dëshmive.”,- u shpreh avokati i mbrojtës, Mefail Arsllani.

Prokurorja, Fatime Fetai, thotë se dëshmitë e prezantuara konfirmojnë aktakuzën e ngritur.

“Të gjitha provat që janë prezantuar deri tani gjatë shqyrtimit kryesor i konfirmojnë pretendimet e aktakuzës së ngritur. Kishim disa precizime më të qarta në dispozitivën e aktakuzës, mirëpo të njëjtat nuk do të ndikojnë në kualifikimin juridik sa i përket veprës penale për të cilën akuzohen këta dy persona. Ekspertiza grafologjike ishte dorëzuar me qëllim të zgjatjes së procedurës së gjykimit, për këtë arsye ne pranuam këtë dëshmi.”,- tha prokurorja, Fatime Fetai.

Pas dëgjimit të të gjithë dëshmitarëve, më 16 mars do të jepen fjalët përfundimtare dhe më pas aktgjykim për këtë rast. Në lëndën “Titanik 3”, Ejup Alimi dhe Ismet Guri janë të akuzuar për parregullsi zgjedhore në favor të kandidatit të BDI-së në Çair në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Marketing