57 porosi miqësie për shtetësine

Qytetari i Seravës, edhe pse ka lindur para 57 viteve në Shkup, nuk pranohet në shtetësine e Maqedonisë sepse, Drejtoria per siguri dhe kundërzbulim, për të satën herë, pa kurrfarë arsyetimi e etiketon si të rrezikshëm për mbrojten dhe sigurinë e vendit. Rasti dërgon 57 porosi për miqësi dhe asnjë për armiqësi.

Suzana Saliu

Shtetësia paraqet lidhjen juridike në mes personit dhe shtetit dhe nuk e përcakton përkatesine etnike. Ashtu si i përkasim familjes dhe shoqërise ashtu i përkasim edhe shtetit, me atë që pajisemi me dokumentin e shtetësise. Nga ky dokument burojnë një varg të drejtash dhe obligimesh që na bëjnë të ndihemi pjesë e shtetit ku jetojmë. Vetëm përmes shtetësise krijojmë marrëdhënje legale me shtetin. Ndryshe, jemi ilegal dhe të perbuzur.

Mospasja e shtetësisë është një problem i vjetër dhe shumë serioz me të cilin ballafaqohen një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë të ciët edhepse kanë lidhje të forta dhe efektive me vendin nuk e gëzojnë këtë të drejtë. Problemi u bë më se evident pas shpërberjes së Jugosllavisë. Zyra e Avokatit të popullit pothuajsë çdo ditë pranon ankesa të kësaj natyre.

Procedura për aplikim të shtetësisë gjithandej paraqet një procedurë komplekse, burokratike dhe rigorozisht të përcaktuar me ligj. Maqedonia që nga viti 1992 ka Ligjin për shtetësi, i cili ne mënyrë të avancuar është ndryshuar disa herë. Në të gjitha shetet e Europës procedurat për shtetësi udhëhiqen nga parimet dhe standardet e përcaktuara në Konventën Europiane për shtetesi, e cila që moti është bërë pjesë edhe e sistemit juridik të vendit duke u ngërthyer në Ligj. Por, gjatë procedurave shpesh këto standarde dhe parime jo vetëm që vihen në lojë por edhe shkilen nga ana e organeve të Ministrisë së punëve të brendshme, sidomos nga shërbimi sekret i kësaj Ministrie.
Rasti që e ka motivuar këtë shkrim është i rëndësishem, apsurd, por edhe sensibilizues. Një qytetar nga Serava, i cili ka lindur në Shkup në vitin 1962, vite me radhë me organet e Ministrisë së punëve të brendshme që vendosin për të drejtën e shtetësise, po zhvillon beteja të njëpasnjëshme për marrjen e shtetësisë. Nga procedura në procedurë. Jeton në Shkup në vazhdimësi, në shtëpine e përbashkët familjare, me gruan, femijët madhor dhe nipat. Pra, ka lidhje shumë të forta me vendin.

Të gjithë anëtarët e familjes gëzojnë të drejtën e shtetësisë së Maqedonisë, përveç kryefamiljarit. Për ti përmushur kushtet ligjore për aplikim, qytetari i Seravës, ka qenë i obliguar që paraprakisht të pajiset me letërnjoftim për të huaj, me të cilin dokument dëshmon qëndrimin e tij legal. Ështe paraqitur si i huaj në adresën e shtëpisë së tij ku me familjen jeton vite me radhë. Ose, siç thot gazetari, ,,i huaj në shtëpine e vet,,.

Është e pakuptueshme dhe apsurde që qytetari nga Serava këtyre ditëve humbi edhe një betejë me organet e shtetësisë, në një faz kur flasim dhe po punojmë intenzivisht në reformimin e shërbimeve sekrete e veçmas edhe në reformimin e Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim. U refuzua sërish, për shkak se kjo Drejtori sërish, ,,vlerëson,, se pranimi i qytetarit nga Serava në shtetësinë e Maqedonisë e rrezikon sigurinë dhe mbrojten e Republikës së Maqedonisë. Aktvenidimi i fundit i Ministrise së punëve të brendshme, i datës 11.03.2019 nuk përmban arsyetim se pse personi në fjalë është ,,armik,, dhe i ,,rrezikshëm,, për shtetin, edhe përkundër obligimit ligjor se shkaqet duhet të arsyetohen. (Neni 7 paragrafi 1 pika 8 e Ligjit për shtetësi). Është e drejtë e pakontestueshme e qytetarit nga Serava, por edhe e familjes së tij që të njihet me ,,veprimtarinë armiqësore,, të kryefamiljarit. Qytetari nga Serava ka 57 vjet dhe dërgon 57 porosi për miqësi, dhe asnjë për armiqësi. Porosi të njejtë dërgon edhe e moshuara 70 vjeçare, poashtu nga Shkupi e cila që nga viti 1964 me familjen e saj e jeton në Shkup. Ajo nuk pranon dhe nuk bindet që të nxjerrë leternjoftim për të huaj. Nuk pajtohet që në shtëpnë e saj të paraqitet si ,,mysafire,,. Të njejtin problem me shërbimet sekrete e ka edhe edhe 40 vjeçarja po nga Shkupi, nënë e dy fëmijëve të mrekullueshëm, shtetas të Maqedonisë, e të cilën shërbimet e sigurisë në mes tjerash e kishin pyetur që të ilustrojë para tyre ,,si i lutet zotit,,. Me qindra porosi për miqësi deri te shërbimet sekrete të Maqedonisë.

Reformat nuk bëhen me ndryshimin e emërtimit të shërbimeve sekrete. Reformat duhet ti kërkojmë në mentalitetin, kulturën dhe qasjen e atyre që udhëheqin dhe punojnë në këto shërbime.

Një gjë është e sigurtë. Personat në fjalë dhe shumë të tjerë që po zhvillojnë betejë për të drejtën e shtetësisë, nuk janë ,,azilantë,, por, një kategori historike në shtetin Maqedonisë dhe ky shtet duhet tu del zot. Këta persona, Maqedonia nuk guxon ,,ti fusë në një thes,, me kategorinë e re të të huajve, të ardhur si emigrantë dhe refugjatë nga Siria ose shtete tjera të përfshira me luftë e varfëri. Është fjala për qytetarë që shtëpi të vetme e kanë Maqedoninë. Nuk kanë ku të shkojnë. Kjo duhet të jetë pikënisja.
Avokati i Popullit në vazhdimësi, vite me radhë, apelon deri te organet e Ministrisë së punëve të brendshme që vendosin për të drejtën e shtetësisë për një trajtim sa më human dhe sa më fleksibil ndaj kësaj kategorie historike të qytetarëve të cilët duhet ta gëzojnë këtë të drejtë shumë të rëndësishme. Është në interesin nacional të Maqedonisë që këta njerëz të jenë shtetas të saj. Lum ai vend që ka shumë miq.

(Autorja është Zëvendëse e Avokatit të popullit)

evn