Ligjërata të profesorëve Valter Memisha dhe Izer Maksuti në AZGJ për leksikografinë dhe përkthimin e teksteve shkencore

Këtë javë, trajnimi i përkthyesve dhe i lektorëve të administratës ka vazhduar me profesorët Valter Memisha dhe Izer Maksuti, i pari me ligjërata për rolin që ka leksikografia në procesin e përkthimit, ndërkaq i dyti është përqendruar në përkthimin e teksteve të specializuara dhe shkencore.

Marketing

Që të dy e vlerësojnë lartë këtë aktivitet, por dhe të gjitha aktivitetet që ka ndërmarrë Agjencia e Zbatimit të Gjuhës që nga themelimi i saj e deri sot, si meritë e drejtorit Ylber Selës me stafin profesional.

“Më vjen mire që Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e ka ngritur nivelin e punës së vet në tri shtylla kryesore: në të parën, shkuarja tek librat, veprat shkencore që lidhen me shqipen në përgjithësi dhe shqipen standarde në veçanti.

Shtylla e dytë është organizimi i veprimtarive shkencore, sidomos të konferencave në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar, duke synuar dhe realizuar ardhjen e mendimit shkencor më të pjekur, më të konsoliduar dhe më të frytshëm për mbarëvajtjen e gjithë punës dhe synimeve që i ka vendosur kjo agjenci.

Dhe së treti, ku jam përfshirë edhe unë për momentin, është kualifikimi i punonjësve të administratës”, thotë prof. Dr.Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (Akademia e Studimeve Albanologjike), si dhe kryetar i Komisionit të Përhershëm të Gjuhës dhe të Letërsisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Edhe prof. dr. Izer Maksuti vë në dukje rolin e jashtëzakonshëm të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës, pas hyrjes në fuqi të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, duke u bërë një institucion i njohur në vend dhe në të gjitha qendrat tjera albanologjike, e duke bashkëpunuar me studiuesit më të njohur në vend dhe në hapësirat shqiptare e më gjerë.

Lidhur me trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve Maksuti thotë se është një dhuratë shtesë nga Agjencia, sepse këtu trajtohen tema nga më të ndryshmet, u ofrohet material, mësim dhe përvojë nga studiues të gjuhës, që janë vendimtare në procesin e përkthimit.
Prof. Izer Maksuti thotë se në zbatimin Ligjit, vendimtar është vullneti politik, por në anën tjetër edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve, duke qenë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për shkrimin e gjuhës shqipe krahas maqedonishtes.

“Në qoftë se e përdorim ne shqipen në mbarë vendin, nëse shqipja është në institucione, atëherë janë edhe shqiptarët. Roli identitar i përdorimit të gjuhës shqipe ne institucione është vendimtar për shqiptarët e Maqedonsië.”, vë në dukje prof. dr. Izer Maksuti.
Trajnimi i përkthyesve dhe i lektorëve vazhdon edhe për disa javë.

Marketing