Galeria Kombëtare e Maqedonisë mbrëmë festoi 70 vjetorin e themelimit të saj.

Drejtoresha e këtij institucioni, e cila është edhe e para në historinë e këtij institucioni, Dita Starova Qerimi, theksoi se që nga themelimi kjo galeri u shndërrua në tempull universal të krijimtarisë së pasur, duke lënë gjurmë në fushën e artit figurativ. Ajo tha se që në zanafillën e saj galeria për hapësirë të vetë ekpozuese dominante e përcaktoi hamamin e Daut Pashës, ndërsa pastaj edhe objektin e dytë të galerisë, Çifte Hamamin.

“Në këtë ngjarje të rëndësishme historike meritohet të theksohet roli fisnik i të gjithë faktorëve udhëheqës dhe kulturorë të cilët kanë marrë pjesë në formimin e këtij institucioni. Gjatë ekzistencës së saj, Galeria Kombëtare u bë tempull universal i krijimtarisë së pasur, reprezentative dhe ka lënë gjurmë të përhershme në fushën e artit figurativ”,- tha drejtoresha e Galerisë Kombëtare, Dita Starova Qerimi.

Qysh në vitin 1948, kur u krijua Galeria Kombëtare, qëllimet dhe detyrat e tij u përcaktuan qartë, për të regjistruar pasurinë kulturore kombëtare.

“Galeria Kombëtare ka një koleksion jashtëzakonisht të pasur me më shumë se 2,376 objekte të muzeve. Galeria ka tri ndërtesa që janë bërë vende të kultit dhe ata janë Hamami i Daut Pashës, Çifte Hamam dhe Stacioni i Vogël”,- u shpreh kryetari i AShAM-it, Taki Fiti.

“Galeria Kombëtare e Maqedonisë për ne paraqet një mjet shumë të rëndësishëm për zhvillimin e dialogut ndëretnik dhe multikulturor ndërmjet grupeve dhe kulturave të ndryshme në Republikën e Maqedonisë. Kjo dhe institucionet e tilla kombëtare shërbejnë dhe ndihmojnë brezat e ardhshëm të lidhen me historinë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.

Me këtë rast iu ndanë mirënjohje Ambasadës së ShBA-ve, Ambasadës së Holandës, komunës së Çairit, si dhe gazetarëve për mbështetjen që i kanë dhënë për gjithë këto vite Galerisë Kombëtare.