700 euro metri katror në zonën e Vizbegut, OEMVP: Vlerë joreale, më shtrenjtë se në Qendër

Për një kohë të gjatë ishin lënë në haresë nga qeveria, e tani kompanitë që gravitojnë në zonën e Vizbegut, kanë problem me qeverisjen lokale të komunës së Çuçer Sandevës. Nga OEMVP alarmojnë se komuna ka sjellë programe për rregullimin e tokës ndërtimore, ku baza për tatim në metër katror është vlerësuar 700 euro. Kjo shumë nuk përkon me vlerën as edhe të metropoleve më të mëdha. Qasjen e tillë të komunës e shohin si diskriminuese dhe antikushtetuese.

Marketing

“Për kategorinë G të subjekteve të prodhimtarisë, distribuimit dhe shërbimeve tjera G1, G2 dhe G4, ato përllogariten me koeficient 0.05, që i bie 700 euro me këtë koeficient, një vlerë 35 euro për metër katror që është 35 herë më e lartë se komunat tjera përreth. Pra, kjo është një vlerë joreale dhe duhet penguar në mënyrë urgjente. Me këto çmime kjo komunë ka tejkaluar çmimin e të gjitha komunave, përfshirë këtu edhe komunën Qendër të Shkupit.”,- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.

Nga komuna e Çuçer Sandevës nuk u prononcuan për rastin në fjalë. Arsyetimi i tyre ishte se kryetari i kësaj komune është i zënë dhe nuk ndodhet në komunë për të dhënë sqarim. Kompanitë në zonën e Vizbegut gjenerojnë me qarkullim vjetor prej mbi 340 milion euro, me numër të të punësuarve mbi 2600 persona.