8 raste me koronavirus te Besiktas, rifillimi i kampionatit në pikëpyetje

Turqia është një nga shtetet që e ka përballuar më së miri pandeminë COVID-19, sepse pavarësisht se numri i të prekurve është më shumë se 143 mijë, deri tani kanë humbur jetën më pak se 4 mijë persona.

Marketing

Turqia ishte një nga shtetet e fundit në Evropë që ndërpreu futbollin e luajtur dhe pritet ta rinisë atë në datë 12 qershor, por së fundmi gjërat janë komplikuar ndjeshëm.

Ditën e djeshme pati raste të reja me koronavirus te Erzurumspor BB, klub që garon në divizionin e dytë.

Sot është përkeqësuar situata dhe Besiktas është goditur keq nga COVID-19.

Klubi i famshëm turk, ka lajmëruar infektimin e 8 personave. Nuk bëhet e ditur nëse janë të gjithë futbollistë apo pjesëtarë të stafit teknik e klubit.

Tekin Kerem Ulku mban postin e doktorit të Besiktas dhe ka deklaruar në një komunikatë zyrtare se të gjithë anëtarët e klubit i janë nënshtruar testeve.

Besiktas renditet në vend të pestë të Superligës turke. Bardhezinjtë numërojnë 44 pikë dhe vendi i parë, që ndahet mes Trabzonspor dhe Basaksehir, ndodhet nëntë pikë larg, kështu që objektivi primar mbetet kualifikimi në Europa League.

Mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marr qeveria në bashkëpunim me federatën turke të futbollit, pas publikimit të këtyre rasteve të reja me koronavirus te Besiktas dhe Erzurumspor BB.