Përtej krekosjeve të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut se cila doli më e “suksesshme” në zgjedhjet presidenciale, kur në fakt fitues ishin vetëm kandidatët maqedonas, në këto zgjedhje u dëshmua se Gruevski mund të ketë ikur, por pas tij mbeten 320 mijë “gruevska” që votuan një parti antishqiptare e cila për më shumë se një dekadë i diskriminoi shqiptarët në secilin segment.

Janë 320 mijë vota të “gruevskave të vegjël” që presin të ringjallet forca e tyre politike dhe i mbeten besnikë liderit të tyre i cili do të mbahet mend si një “Millosheviq i vogël” që urrente çdo gjë shqiptare.

Shqiptarët me votën e tyre mbesin si rëndom përcaktues të fituesit në balotazh, por pashmangshëm shpërfaqet edhe një herë e vërteta se ata edhe për një kohë të gjatë do të vazhdojnë të përfaqësohen nga poltikanë që fatin e tyre politik e kanë barazuar me fatin e popullit.

E, sa i përket kandidatit shqiptar që me vetëdije morri pjesë në një garë ku e dinte se do të humb, zbërthehet e vërteta se shqiptarët edhe më tej përfaqësohen nga politikanë që nuk e kanë me rëndësi të fitojnë por të “tregëtojnë” me votat shqiptare për përfitime personale.

Por, sidoqoftë tani mbetet e paqartë se a u solli Blerim Reka vota dy partive shqiptare që e përkrahen apo ato – kandidatit të tyre. E, ndoshta kjo mund të përfundojë edhe krejt ndryshe: nese jo president i Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka mund të bëhet kryetar i Besës dhe Aleancës Shqiptare të bashkuara me një emër të ri në skenën politike në Maqedoninë e Veriut!

evn