A është gjyqësori grushti i politikës?

Gjyqësori në Republikën e Maqedonisë së Veriut ende është i ndikuar nga politika. Njohësit e rrethanave janë të mendimit se disa procese gjyqësore nuk marrin epilog përfundimtar me qëllim që në raste të caktuara të përdoren për të heshtur “zhurmaxhinjët” që kanë mendime ndryshe nga pushteti. Sipas tyre reformat po ngecin, ndërsa edhe ato pak tentime që po bëhen për të reformuar gjyqësorin janë kozmetike. Avokati Asmir Alispahiç thekson se edhe pse ka përmirësime të vogla, pushteti ekzekutiv dhe ai gjyqësor ende janë të ndikuar njëri nga tjetri.

Marketing

“Lëndët zgjasin me vite të tëra, nuk marrin epilog përfundimtar. Për këtë flet edhe Raporti i ‘Pribe’-s. Garniturat politike të cilët vijnë në pushtet kanë ndikim ndaj pushtetit gjyqësor. Kjo vërtetohet edhe nga mënyra se si po zhvillohen proceset gjyqësore. Pritshmëritë e qytetarëve janë shumë të mëdha. Ata presin që përfundimisht të filloi procesi i reformave në gjyqësor”, deklaroi për gazetën KOHA, Asmir Alispahiç, avokat. Nga ana tjetër, kreu i Shoqatës së ish të burgosurve politik shqiptar, Shpëtim Pollozhani thotë se me “muzikantë të vjetër nuk ka muzikë të re”.

“Me mentalitet bizantin- komunist nuk ka demokraci. Dosjet nuk u hapen. Sa për krahasim,Gjermania vetëm nga arsimi largoi nga puna mbi 17.000 punëtorë të arsimit shkaku i bashkëpunimit me shërbimin sekret SHTAZI. Lustrimi këtu te ne ishte një farsë ‘sui generis’. Opinioni mbahet në tension larg problemeve jetik, derisa të lodhet që të mos protestojë dhe të mos kërkojë dënim të krimit. Të akuzuarit përpunohen deri në futjen e tyre në shërbim të pushtetit aktual. Pushtetit i zgjatet jeta me ndihmën e rolit negativ që e luan administrata e shtetit dhe gjyqësori, natyrisht, derisa të trashet zullumi dhe me protesta masive të shembet kjo demokraci tinëzare dhe e shpifur”, tha për gazetën KOHA, Pollozhani.

HESHTJA E “ZHURMAXHINJVE”

Për juristin, Qenan Aliu, në Republikën e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka reforma të denja gjyqësore. Sipas tij edhe ato ndryshime që prezantohen si reforma, janë kozmetike.

“Realisht ende nuk ka reforma të denja në gjyqësor. Mbase edhe ajo pak që po bëhet, e që është në procedurë e sipër është kozmetike, jo rrënjësore. Shumë procese ende janë pa epilog gjyqësor. Këtu ashiqare shihet se politika ka gisht, siç duket për disa raste ajo ndikon në dinamikën dhe intensitetin e procedimit. Politika lëndoi drejtësinë, me Ligjin për amnisti për ngjarjet e 27 prillit, po ashtu dhe Qeveria duke justifikuar këtë me një qëllim të lartë, për të siguruar 2/3 e votave në Parlament për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës”, deklaroi për gazetën KOHA, Qenan Aliu, jurist. E gjithë kjo, shprehet Aliu, po bëhet në emër të integrimeve ndërsa në kurriz të drejtësisë. Ai thekson se rasti i fundit me arrestimin e ish-kreut të Komunës së Karposhit, ka të ngjarë të kuptohet si tentim për heshtjen e “zhurmaxhinjve”. “Drejtësia duhet të funksionojë e pavarur, në vazhdimësi dhe në bazë të fakteve dhe provave, pavarësisht se ndaj kujt po zhvillohet proces gjyqësor”, nënvizon Aliu.

OPOZITA: FATI I SISTEMIT GJYQËSOR PO VENDOSET ME MARRËVESHJE POLITIKE

Partitë opozitare shqiptare thonë se në Republikën e Maqedonisë së Veriut, qytetarët nuk mund të presin që drejtësia të jetë e pavarur, përderisa për fatin e saj vendoset me marrëveshje politike.

“Ndryshimi i Kodit Penal nga kjo Qeveri, ku shumë raste të dala nga përgjimet e bombave, të trajtohen si lëndë të vjetra, bien ndesh me deklaratat e Kryeministrit Zaev për funksionimin e drejtësisë, si dhe me strategjinë për zbatimin e reformave. Propozim Ligji për Prokurorinë Publike nga Qeveria, së bashku me VMRO-DPMNE duke e përjashtuar opozitën shqiptare, dhe duke u munduar ta bëjnë PSP organ të varur politikisht duke e futur atë nën Prokurorinë Publike, si dhe duke ua marr vlerën përgjimeve (bombat) si prova dhe dëshmi, flet për tendencën e pazareve politike, për t’ia pamundësuar PSP-së ti ndjek penalisht aktorët politik të BDI-së të dyshuar dhe të akuzuar për përfshirje në korrupsion dhe krim”, deklaroi për gazetën KOHA, Flakron Bexheti, shef i departamentit për informim i Aleancës për Shqiptarët (ASH). Sipas tij ky sistem i drejtësisë qe diktohet nga qeveria LSDM-BDI dënon me 7 vite Burg Feta Alimin nga lënda lëndën “Terrorizëm” me arsyetimin se ua paska dhënë deputeteve çelësat për të hapur dyert e Parlamentit, ndërsa deputeti Mukoski që ka hapur derën është i lirë, madje gëzon privilegjet e pushtetit.

Ndërkaq, Arjanit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA thotë se sistemi gjyqësor është një nga sektorët me vërejtje më të mëdha qoftë në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), raportet e Bashkimit Evropian (BE), por edhe në raportin e Pribes. “Për fat të keq, edhe sot e kësaj dite për fatin e sistemit gjyqësor po vendoset me marrëveshje politike kryesisht nga aktorë të cilët edhe janë pengesë për funksionimin e shtetit të së drejtës. Ashtu si edhe në të kaluarën por edhe sot pasojat e një sistemi të keq gjyqësor i përjetojnë shqiptarët dhe përsëri faktori politik shqiptar mbahet i izoluar nga partitë politike maqedonase qoftë në pushtet apo opozitë. Çdo zgjidhje që do vijë si rezultat i marrëveshjeve politike mes partive politike maqedonase pa prezencën e faktorit politik shqiptar, do jetë gjysmake dhe çdoherë do të jetë gjenerator i krizave të reja në vend”, deklaroi për gazetën KOHA, Hoxha.

Zhvillimet politike të viteve të fundit na japim të kuptojmë se reformat në gjyqësor vetëm deklarativisht janë kuptuar nga politika, ndërkohë që kjo e fundit ende i përdor gjykatat për të disiplinuar jobashkëmendimtarët. Ose, thënë ndryshe – gjyqësori edhe më tej, në raste të caktuara, në opinion perceptohet si grusht i politikës. (koha.mk)

Marketing