A ndikuan legalizimet në zgjedhje? Në tre muajt e parë të 2021 u shpërndanë mbi 10 mijë leje

Pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, numri dy i partisë demokratike Gazment Bardhi përmes një denoncimi akuzoi ministren Belinda Balluku si të përfshirë në skemën e blerjes së votave në këmbim të legalizimit të banesave.

“Kjo që shikoni është grupi i Whatsapp i hapur me urdhër të Belinda Ballukut dhe drejtuar nga Këshilltarja e saj në Kabinetin e Ministrit Laureta Omeri. Përmes këtij personi, Belinda Balluku ekzekuton skemën e blerjes së votave, duke legalizuar banesa në këmbim të votave”, shprehej Bardhi.

Marketing

Nisur nga kjo deklaratë, Euronews Albania i kërkoi Agjencisë Shtetërore të Kadastrës informacion mbi numrin e objekteve të legalizuara në të gjithë vendin.

Nga përgjigja mësohet se nga janari në mars të këtij viti, vetëm pak para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në vendin tonë u legalizuan 10 003 objekte.

Kjo është mesatare e lartë, por jo me e larta e kësaj qeverie. Në vitin 2016, numri i legalizimeve arriti rekordin me 48 351 objekte të legalizuara, teksa vetë kryeministri Rama e vuri këtë proces në pararojën e zgjedhjeve të 2017-ës.

Ndikimi tek vota, përmes lëshimit të lejeve të legalizimit nënvizohet edhe në raportin paraprak për zgjedhjet e  25 prillit të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE-OHDIR-it ku thuhet:

“MKVZ-ja e ODIHR-it mori edhe raportime për përpjekje të bëra për ndikim të votës përmes ofrimit të stimujve. Këtu futet edhe lëshimi i lejeve për legalizim.”

Në këtë raport citohet dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që parashikonte se katër muajt para ditës së zgjedhjeve, aktivitetet e ndaluara përfshinin shpërndarjen e lejeve të legalizimit, regjistrimin e titujve të pronësisë, përdorimin në fushatën zgjedhore të burimeve të administratës shtetërore qendrore dhe lokale .

Strategjia e legalizimeve masive me efekt elektoral ka qenë jo vetëm pjesë e zgjedhjeve qendrore por edhe atyre lokale.

Edhe në raportin e vitit 2015 ODHIR përcolli të njëjtin shqetësim: “Një numër personalitetesh të larta nga partitë e mëdha qeverisëse përdorën aktivitetet dhe burimet shtetërore për qëllimet e fushatës, duke përfshirë shpërndarjen e certifikatave për legalizimin e pasurisë, e cila mjegulloi ndarjen midis shtetit dhe partisë”.

Në total nga viti 2006, deri në mars 2021 janë legalizuar 209 757 objekte. Kësaj shifre i shtohen dhe 12 000 apartamenti apo njësi shërbimi të legalizuara përmes VKM 19/2017 për legalizimin e pallateve të braktisura.

Marketing