Ademi: BDI nesër në Tetovë fillon tubimin nismëtar për referendumin

Bashkimi Demokratik për Integrim me vendim të kryesisë, të konfirmuar edhe nga Këshilli i përgjithshëm i partisë, ka zgjedhur Shtabin Qëndror për referendumin e 30 shtatorit me në krye doktor Atilla Rexhepin.

Marketing

Shtabi Qëndror gjithashtu zgjodhi drejtuesit e 35 shtabeve komunale të cilët do i prijnë procesit të strukturimit të mëtejmë në degët respektive të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Takimet me qytetarët, strukturat e Bashkimit Demokratik për Integrim, të prira nga Kryetari Ali Ahmeti, do t’i nisin nesër, e hënë, 10 shtator, në Tetovë, me tubimin nismëtar për referendumin e 30 shtatorit.

Tubimi do të mbahet në sallën sportive të shkollës së mesme të mjekësisë në Tetovë me fillim në ora 20:00 dhe ne i ftojmë të gjithë qytetarët që të na bashkangjiten nesër, por edhe në ditët në vijim, drejt realizimit të synimit tonë, integrimit euroatlantik.

Përveç takimeve me qytetarët, strukturat e Bashkimit Demokratik për Integrim do të takojnë grupe të ndryshme interesi, botën akademike, shoqërinë civile, mediat si dhe do të vendosin dialog edhe me partitë tjera.

Aktivistët tanë do të trokasin në dyert e të gjithë qytetarëve dhe do ti ftojnë ato që të dalin dhe të përcaktohen më 30 shtator për Maqedoninë euroatlantike.
Vlerësojmë se referendumi i 30 shtatorit është përcaktim i qytetarëve për Bashkimin Evropian dhe për NATO.

Duke marrë parasysh rëndësinë historike të 30 shtatorit ftojmë edhe opozitën në vend t’i bashkangjitet forcave progressive dhe të marrin pjesë me votë, për ose kundër të ardhmes euroatlantike të Maqedonisë.

Në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim, shprehim mirënjohje të thellë për të gjithë krerët e shteteve evropiane si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e dhënë në vazhdimësi për integrimin e vendit tonë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Sukseset tona janë të përbashkëta.