Ademi: Korrupsionin do ta çrrënjosim nga shkolla fillore

Çrrënjosja e korrupsionit, apo ulja e nivelit të korrupsionit është një proces që kërkon kohë më të gjatë. Lufta kundër korrupsionit duhet të nisë që nga shkollat fillore. Kështu thotë ministri i arsimit dhe shkencës Arbër Ademi, i cili njoftoi se dikasteri që ai drejton ka filluar zhvillimin e aktiviteteve për edukimin e fëmijëve.

Marketing

“Një aktivitet konkret, që kemi filluar ta përdorim disa vite me radhë në të gjitha shkollat fillore, siç janë aktivitete për edukimin antikorrupsionit. Sa për informatë, në këtë projekt ku është e kyçur komisioni për parandalimin e korrupsionit dhe byroja për zhvillim të arsimit është përpunuar një doracak për programin për edukim kundër korrupsionit” deklaroi ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski tha se problemi kryesor në luftimin e korrupsionit është fakti që rastet e korrupsionit nuk paraqiten nga qytetarët. Ata sipas Spasovskit parapëlqejnë që të japin ryshfet për të kryer punë para se të paraqesin rastet e kërkimit të ryshfetit në institucionet përgjegjëse.

“Mendoj se problemi më i madh i institucioneve që paraqesin vullnet për ta luftuar korrupsionin është mosbashkëpunimi nga ana e qytetarëve. Unë kam raste të përditshme ku dëshirojnë të tregojnë për ndonjë rast, dëshirojnë të njoftojnë se ka korrupsion dhe krim, mirëpo askush nuk dëshiron të paraqesë. Thonë ne do të paguajmë që të kryejmë punë, ju zbuloni vet se kush janë” tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

E ministri i kulturës Asaf Ademi thotë se asnjë qeveri nuk mund ta luftojë korrupsionin pa bashkëpunimin e qytetarëve. Sipas tij, sa më e mbyllur që është shoqëria për ndryshime, aq më e ekspozuar është ndaj korrupsionit.

“Për një proces të këtillë është e patjetërsueshme mbështetja e qytetarëve. Kështu, përgjigjet për çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin në vendin tonë, duhet ti kërkojmë në sferat e historisë, politikës, drejtësisë si dhe shërbimet shoqëroro ekonomike. Thënë me fjalë tjera, sa më konservatore të jetë shoqëria dhe e mbyllur për ndryshime aq është më e ekspozuar ndaj korrupsionit” deklaroi ministri i Kulturës, Asaf Ademi.

Ndryshe, organizata joqeveritare dhe shoqata qytetare sot dorëzuan dhe propozuan ide dhe iniciativa të ndryshme në lidhje me luftën kundër korrupsionit tek ministritë e vendit.