Ademi: Maqedonia dhe Çekia kanë bashkëpunim të mirë në sferën e arsimit

Maqedonia dhe Çekia do të vazhdojnë të zhvillojnë bashkëpunimin e mirë arsimor, posaçërisht në sferën e arsimit dhe shkencës, përmes mobilitetit më të madh të kuadrit mësimor, realizimin e përbashkët të projekteve shkencore-hulumtuese dhe shkëmbimin e studentëve.

Kjo u theksua në takimin e sotëm ndërmjet ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi dhe ambasadorit të Çekisë në Maqedoni, Miroslav Toman. Në këtë takim të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur kënaqësinë që qeveritë e të dyja vendeve kanë qëndrim identik kur bëhet fjalë për investimet dhe përpjekjet për ndërtimin e sistemit nacional konkurrues për mundësi më të mëdha për qytetarët e vendeve respektive.

Gjatë takimit, ministri Ademi i ka prezantuar aktivitetet aktuale të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si dhe prioritetet në të cilat do të fokusohet puna e kësaj Ministrie në periudhën në vijim.

Ministri Ademi, njëherësh ka falënderuar Ministrinë e Arsimit të Çekisë për mundësinë që ofron kjo Ministri për qytetarët e Maqedonisë për të studiuar në disa grupe dhe programe të caktuara mësimore në këtë vend.

Në këtë takim u bisedua edhe për funksionimin dhe rezultatet e punës së Institutit për film në Ohër, i cili që nga viti 2015 është themeluar si njësi në përbërje të Universitetit të Shtipit “Goce Dellçev” e që aktivitetin e vet e zhvillon në pajtim me parimet dhe përkrahjen e kuadrit të shkollës prestigjioze të filmit dhe televizionit FAMU – shkolla e pestë më e vjetër në botë, për të cilën ky është bashkëpunimi i parë dhe i vetëm i këtij lloji me një institucion të lartë arsimor të jashtëm.

Ambasadori Toman ka theksuar që Çekia i njeh dhe, edhe më tej, do të përkrahë maksimalisht përpjekjet e sinqerta të Qeverisë së Maqedonisë për zhvillimin dhe arritjen e kualitetit të arsimit në vendin tonë.