Ademi: Muzeu i Alfabetit do të vizitohet gjatë çdo ekskursioni të nxënësve

Me iniciativë të liderit partiak Ali Ahmeti dje është nënshkruar rregullore e re për ekskursionet e nxënësve të arsimit fillor me çka Muzeu i Alfabetit në Manastir përskaj lokacioneve të tjera me rëndësi për ne shqiptarët, “është paraparë si lokacion i cili do të vizitohet gjatë ekskursioneve nga të gjithë nxënësit e shkollave fillore të Maqedonisë së Veriut”.

Marketing

Këtë risi e ka shpalosur sot ministri i Arsimit dhe Shkencës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Arbër Ademi gjatë pjesëmarrjes në Akademinë solemne, Ditët e Alfabetit shqip që u mbajt sot në hotelin Epinal në Manastir, në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e festave të Nëntorit.

“Kjo sa do e vogël ka simbolikën e vet për t’i dhënë rëndësi e për ta trajtuar këtë temë nga të gjithë fëmijët dhe nxënësit tanë që në arsimin fillorë. Uroj që ngjarje të këtilla, manifestime dhe promovime librash e ekspozita të kemi më shpesh dhe të përfaqësohemi në dritën më të mirë të mundshme”, thekson Ademi.

Ai ka thënë se bashkë me ITSHKSH-në kanë pasur promovime librash, ekspozitash, dhe siç thotë, “ kemi forcuar kapacitetet kadrovike gjatë këtij viti në ITSHKSH dhe kemi dyfishuar numrin e Departamenteve që operojnë në kuadër të Institutit”.

“Gjithashtu edhe në aspekt të mbështetjes financiare, ajo gjithmonë ka ekzistuar edhe në të ardhmen dhe kjo na bën nder të gjithëve që në formë institucionale të shënojmë festat tona edhe në nivel shkencor dhe ta trajtojmë seriozisht çdo çështje dhe ngjarje të rëndësishme historike që ka të bëjë me kombin dhe popullin tonë. Më vjen mirë qoftë në Shkup e Manastir të shënojmë bashkë aktivitete që kanë të bëjnë me ngjarjet tona dhe ky është objektivi ynë që të krijojmë institucione të qëndrueshme dhe stabile që do ta luajnë rolin e tyre më mirë se sa vetë klasa politike”, ka thënë ministri Ademi.

Ndryshe, i pranishëm në Akademinë solemne ka qenë edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti, konsuj të nderit, ministra qeveritar dhe kryetarë komunash.