Ademi në takim me odën e Maqedonisë Veriore dhe Turqisë MATTO

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi dje (20:03.2019) ishte mysafir në mbledhjen e Këshillit drejtues të MATTO-s, që u mbajt në Universitetin ndërkombëtar ballkanik, (IBU), anëtare e MATTO-s dhe investim turk. Duke iu drejtuar mysafirit, z. Ajdovan Ademoski, kryetar i MATTO-s dhe kryetar i këshillit drejtues të IBU-së, e njoftoi ministrin se ky investim tani për tani paraqet 20 milionë euro dhe se deri në fund të projektit do të investohet po aq. “Arsimin e shohim si parakusht për zhvillim të përshpejtuar ekonomik, por edhe si degë fitimprurëse të ekonomisë. Në vend në të gjitha fakultetet, momentalisht studiojnë 2500 studentë shtetas turq, të cilët njëherit janë edhe promovues të Maqedonisë në Turqi dhe njerëz potencial afaristë”, theksoi Ademoski. Ai shtoi se në Austri studiojnë 3000 studentë turq ndërsa në Maltë 4000, përse të mos i ndjekim.

Prof.dr. Mehmet Dursun Erdem, rektori i universitetit, informoi se IBU është themeluar në vitin 2006, se në këtë vit mësimor janë regjistruar 2000 studentë nga 15 vende në 10 fakultete. “Më gëzon, se shumica e studentëve të diplomuar tashmë janë pozicionuar në biznesin dhe administratën e vendeve të tyre”.

Z. Imer Selmani, nënkryetar i MATTO-s dhe anëtar i KD të IBU-së, e njoftoi minsitrin se IBU është në realizim të projektit të themelimit të fakultetit të mjekësisë, shkollës së lartë për infermiere obstetre dhe infermiere për paramedikë – ofrim i ndihmës së shpejtë, si dhe themelim të shkollës së lartë për pilotë. Për pjesën mjekësore, tashmë janë lidhur kontrata për lëndët klinike me institucionet “8 Shtatori”, Axhi Badem Sistina, Klinikën stomatologjike pranë UCM dhe Qendrën mjekësore Shkup. “Në Maqedoni veprojnë 4000 mjekë me moshë mesatare prej 56 viteve, duhet të arsimojmë kuadro të reja për të ardhmen”, theksoi Selmani.

“Reforma në arsim në të cilën punojmë duhet sa më parë t’u përgjigjet nevojave të tregut të punës. Me mbështetje të Bankës botërore punojmë në revizion të programeve arsimore, posaçërisht në arsimin e mesëm profesional. Sipas standardeve botërore, programet mësimore duhet t’u referohen 55% të lëndëve profesionale dhe 45% të lëndëve të përgjithshme. Gjithashtu, me mbështetje të OECD-së, UNICEF-it dhe bankës botërore punojmë edhe në reformën e arsimit fillor”, informoi ministri Ademi. Ai u bëri thirrje anëtareve të MATTO-s të kyçen në programin për arsim dual, prë të cilin deri më tani është paraqitur interesim tek 200 kompani. Me EVN – Shkup tashmë është arritur marrëveshje ndërsa pasin edhe me EVN – Ohër. Për vitin e ardhshëm mësimor programe të tilla përgatiten në nivel të Kavadarit dhe Ohrit. “Pa përfshirje të drejtpërdrejtë të kompanive në këtë reformë nuk do të ketë rezultate. “Në të vërtetë, nevoja e zhvillimit ekonomik e trasojnë programin. Duhet të përgatitemi për atë që na pret me inkuadrimin në BE dhe në NATO”, porositi ministri Ademi.