Ademi: Nobelisti Murad është frymëzim për këmbënguljen dhe krijimin e vlerave në shkencë

Universiteti “Nënë Tereza” sot në Shkup ka dekoruar mjekun dhe farmacistin e njohur me famë botërore, nobelistin me prejardhje nga Gostivari, Ferid Murad, me titullin Doktor nderi i shkencave.

Marketing

Në këtë ceremoni fjalë ka mbajtur edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i cili ka shprehur kënaqësinë e tij që i jepet mundësia ta nderojë personalisht një nga shkencëtarët më të famshëm të botës që, siç tha ai, i meriton të gjitha titujt dhe mirënjohjet për arritjet dhe kontributin e tij përgjatë shumë viteve punë në fushën ku vepron.

“Më lejoni t’ju uroj për titullin që ua ndau Universiteti “Nënë Tereza”, që gjithashtu më gëzon shumë sepse këtij institucioni më të ri të arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë iu kujtua dhe organizoi këtë ngjarje – që është me rëndësi të veçantë për të gjithë, duke përfshirë edhe neve të pranishmëve këtu, që Juve ju perceptojmë si frymëzim për të lënë gjurmë pozitive në punën dhe veprimin tonë, si dhe në krijimin e vlerave nga sfera e arsimit dhe shkencës”, tha ministri Ademi.

Ai nobelistit Murad i dëshiroi shëndet të mirë, shumë suksese në të ardhmen dhe vizita më të shpeshta në Maqedoni sepse, siç tha Ademi, ky vend është krenar për sukseset e tij dhe se do të vazhdojë të ndajë mirënjohje për punën e tij edhe më tej.

Ferid Murad ka lindur në Indiana më vitin 1936, por familja e tij rrjedh nga Llakavica e Gostivarit. Ai ka fituar Çmimin Nobel në Fiziologji dhe Mjekësi në vitin 1998. Ai është Qytetar Nderi i Komunës së Çairit, doktor nderi i shkencave në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ndërsa emrin e tij e mban Spitali i Përgjithshëm në Gostivar

Marketing