Ademi: Partneriteti me mësimdhënësit i rëndësisë së veçantë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës,  Arbër Ademi ka pritur sot në një takim pune përfaqësues të Lidhjes të Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Shkup të udhëhequr nga kryetari Nuhi Dardhisha. Duke vlerësuar rolin në përgjithësi të mësimdhënësve por edhe kontributin që duhet të japin për reformat e filluara në sistemin arsimor, ministri Ademi tha se partneriteti me shoqatat e arsimtarëve ashtu si me të gjitha palët e involvuar në këto procese është tejet i rëndësishëm.

“Asnjë reformë në arsim nuk mund të jetë e suksesshme nëse mbeten jashtë procesit mësimdhënësit. Prandaj, vëmendja ndaj kësaj shtrese të shoqërisë shënon edhe njërin prej prioriteteve kryesore të Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës, si dhe politikave arsimore të Qeverisë”, u shpreh ministri. Në kontekst të kësaj, ai i garantoi përfaqësuesit e LASH-it se do të jetë çdo herë i hapur për bashkëpunim me qëllim të sendërtimit të sistemit arsimor në Maqedoni me vlera të denja për arsim cilësor, në funksion të përafrimit me shtetet e rajonit dhe standardet evropiane. Në këtë takim janë diskutuar gjithashtu përgatitjet që bëhen në fillimit të vitit të ri shkollor 2018/2019, si dhe angazhimet që bën MASH në bashkëpunim me shkollat dhe komunat për përmirësimin e kushteve infrastrukturore, formimin e paraleleve, kuadrit mësimor dhe mjeteve të nevojshme për zhvillimin sa më të mirë të mundshëm të procesit mësimor.

Përfaqësuesit e LASH-it, kanë shprehur konsideratë për frymën entuziaste dhe punën e deritanishme të ministrit, ndërsa kanë parashtruar një sërë çështjesh të hapura arsimore, sidomos në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Ministri nga ana e tij, tha se është obligimi i tij institucional që të bëjë maksimumin për zgjidhjen e të gjitha problemeve me karakter arsimor.