Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi sot mori pjesë në manifestimin përfundimtar të projektit “Hap pas hapi” – projekt ky që në Republikën e Maqedonisë është duke u realizuar me mbështetjen e USAID dhe Fondacionit për Iniciativa Arsimore dhe Kulturore “Hap pas Hapi”.

“Zhvillimi i arsimit është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë aktuale, dhe për këtë më së miri flet Programi i punës në të cilin ka një numër të madh projektesh të planifikuara me kujdes, masa sistematike dhe aktivitete që synojnë ngritjen e cilësisë së njohurive që u ofrohet nxënësve, si dhe zhvillimi i kompetencave personale dhe talenteve të çdo individi që nga mosha më e hershme”, deklaroi zëvendësministri Ademi.

Një nga partnerët tanë më të mëdhenj, shtoi Ademi, është Fondacioni “Hap pas hapi” i cili në pesë vitet e fundit ka zbatuar projektin e financuar nga USAID-it “Duke lexuar për t’u bërë lider”, qëllimi kryesor i të cilit ishte përmirësimi i njohurive të hershme gjuhësore dhe matematikore, si dhe të promovojë rëndësinë e këtyre shkathtësive.

“Analizat e bëra në kuadër të këtij projekti janë të një rëndësie të veçantë. Këto analiza tregojnë si është gjendja e tanishme e arsimimit gjuhësor dhe matematikor në mesin e nxënësve të klasave të para, kurse rekomandimet e dhëna në kuadër të projektit na japin udhëzime se si të përmirësojmë leximin përmes të kuptuarit dhe shkathtësitë elementare matematikore për të përmirësuar cilësinë e arsimit”, theksoi Ademi, duke theksuar se është e nevojshme që shkollat të parashikojnë kënde për lexime dhe kohë për lexim gjatë çdo dite shkolle, kurse mësuesit çdo ditë të inkurajojnë diskutimin dhe të zhvillojnë mendimin kritik me qëllim që të rrisë të kuptuarit e përmbajtjes te nxënësit.

“U bëj thirrje të gjithë mësuesve që të vazhdojnë të aplikojnë të gjitha instrumentet, teknikat, aktivitetet dhe materialet e përpiluara gjatë projektit me qëllim të rritjes së aftësive gjuhësore dhe matematikore të nxënësve që nga mosha më e hershme. Prandaj, duhet të punojmë së bashku në partneritet me organizatat e shoqërisë civile, shkollat dhe prindërit që fëmijët tanë të bëhen liderë në botën e re”, tha zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës.