Të gjithë udhëheqësit në shoqëri dhe veçanërisht bartësit e funksioneve publike dhe politike, aktivitet e tyre duhet t’i harmonizojnë me qëllimet strategjike – anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe BE, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve për ndryshime në librat e historisë dhe në disa libra të tjerë pasi janë arritur marrëveshje me Greqinë dhe Bullgarinë.

“As unë si ministër, e as kushdo qoftë nuk duhet të lejojë në këtë moment historik të krijojnë çfarëdo tensione. Planifikojmë gjatë muajit gusht të investojmë për librat dhe cilësinë e tyre dhe do të ketë befasi të këndshme”, tha Ademi në konferencë për shtyp për investimet kapitale në arsim.

Lidhur me programin mësimor sipas të cilit filloristët do të mësojnë nga muaji shtator, ministri u përgjigj se mbetet ajo që e ka thënë më parë – deri në sjelljen e ligjit të ri për arsimin fillor, filloristët të mësojnë sipas programeve të vjetra mësimore. Kjo do të thotë se mbetet edhe programi Kembrixh nga klasa e parë.

“Për qasje të re duhet të jenë tërësisht të gatshëm. Ne jemi të fokusuar ndaj Ligjit për arsimin fillor. Në pajtim me konsultimet me ekspertët, shkojmë drejt asaj të ketë ulje të numrit të orëve dhe natyrisht do të reflektohen edhe reformat e paralajmëruara në arsimin fillor. Qëllimi ynë është të kemi ligj cilësor për arsimin fillor”, shtoi Ademi.