Ademi u takua me ambasadorin Romeo

Janë ndërmarrë të gjitha hapat për fillimin e suksesshëm të mësimit të gjuhës italiane si gjuhë e dytë e huaj në shkollat fillore dhe të mesme

Marketing

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Dr. Arbër Ademi, sot ka zhvilluar takim pune me ambasadorin e Republikës së Italisë në Republikën e Maqedonisë, Shkëlqesinë e Tij, Karlo Romeo.

Gjatë këtij takimi ministri Ademi e ka njoftuar ambasadorin italian lidhur me reformat që i ndërmerr Qeveria e Republikës së Maqedonisë për të siguruar arsim më cilësor, për respektimin e ligjeve dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Po ashtu, gjatë këtij takimi u theksua se një nga prioritetet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është përafrimi i cilësisë së arsimit në vend me arsimin në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, Ministri Ademi e njoftoi ambasadorin Romeo se janë ndërmarrë të gjitha detyrimet për fillimin e suksesshëm të mësimit të gjuhës italiane si gjuhë e dytë e huaj në shkollat ​​fillore dhe të mesme në Republikën e Maqedonisë.

Ambasadori i Republikës së Italisë, Shkëlqesia e Tij, Romeo ka shprehur mirënjohje për përpjekjet e bëra për përfshirjen e gjuhës italiane në shkollat e vendit, si dhe mbështetje për të gjitha hapat e mëtejshëm.

Të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur kënaqësinë e tyre për bashkëpunimin e deritanishëm të suksesshëm midis dy vendeve në sferën e arsimit, si dhe kanë trajtuar mundësinë për thellimin e të njëjtit.