Ndërtimi i një kompleksi banesash dhe objekti afarist në komunën Aerodrom të Shkupit është bllokuar nga grupe qytetarësh, të cilët kanë thënë se nuk lejojnë ndërtimin për shkak të uzurpimit të hapësirave gjelbëruese.

Investitori i këtij projekti të ndërtimit të banesave është biznesmeni shkupjan Fatmir Etemi. Ai në një intervistë për “Studio 1” theksoi se bllokimi i ndërtimeve në lokalitetin “Shtëpia e Nënës” po i shkakton dëme të mëdha në biznesin e tij.

Ai ka theksuar se për projektin ndërtues deri tani ka harxhuar 5.5 milionë euro, prej të cilave 3 milionë është blerë toka dhe 2 milionë janë paguar për harxhimet dhe shërbimet e tjera komunale.

“Kam respektuar të gjitha procedurat dhe normat ligjore. Gjatë kohë merrem me ndërtime dhe gjithnjë i kam respektuar rregullat. Kam qenë në takim me kryetarin e komunës që më ka njoftuar se do të ndërpresë punimet. Por unë do të bëj ankesë. Ndërprerja e ndërtimit ka ndikuar në humbje shumëmilionëshe”, theksoi Etemi.

Ai ka reaguar edhe pas vendimit të komunës për pezullimin e ndërtimit. Ai thotë se plani i ndërtimit është në përputhje me planin e detajuar urbanistik dhe se është votuar edhe nga këshilltarë dhe ish-këshilltarë komunal, që dje protestuan kundër ndërtimit.