Biznesmenët nga Ohri dhe Struga reagojnë ndaj procedurave të gjata nëpër kufi dhe formalitetet e komplikuara rreth marrjes së dokumenteve të nevojshme gjatë marrëdhënieve tregtare me partnerët e tyre nga Shqipëria. Për këtë shkak, thonë se në pikëpyetje vihet dërgesa në kohë të prodhimeve të tyre deri tek partnerët e biznesit.

Pritja e veterinarëve, sanitarëve, inspektorati i tregut, kontrollet doganore, të paktën në këtë pjesë që e quajnë Ballkani Perëndimor, duhet të lirohen dhe të hiqen të gjitha kufijtë”- u shpreh Mevmed Xhemailoski, biznesmen nga Struga.
Nga sektori i biznesit në këtë pjesë të Maqedonisë kërkojnë prej shtetit hapjen e më shumë mundësive për shfrytëzimin e portit shqiptar në Durrës.

Ky është transporti më i lirë, por për shkak të procedurave, njerëzit e evitojnë. Ne e kemi shumë afër Shqipërinë. Prej Strugës deri në Shkup ka më shumë rrugë sesa prej Strugës deri në Durrës që është vend turistik dhe ku sezoni fillon prej prillit dhe zgjat deri në tetor”- tha Mevmed Xhemailoski, biznesmen nga Struga.

Afaristët thonë se shumë prej prodhimeve që i eksportojnë janë të freskëta me afat të shkurtë të përdorimit andaj edhe nuk mund t’i përballojnë procedurat e gjata të eksportit.