Agjencia e Zbatimit të Gjuhës filloi trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve të sektorit publik

Prej sot, Agjencia e Zbatimit të Gjuhës, do të trajnojë 66 përkthyes dhe lektorë nga institucione të ndryshme të administratës. Siç i informoi drejtori i agjencisë, Ylber Sela, në hapjen solemne, ky është trajnimi i parë i këtij lloji në vendet e rajonit.
Sela tha se agjencia, që në fillim të punës së vet, ka vërejtur një serë problemesh në përdorimin e gjuhëve, veçanërisht në përdorimin e terminologjisë, prej nga dhe doli nevoja për harmonizim të saj në gjuhët, që përdoren në administratë. Edhe qëllimi i këtij trajnimi është përshtatur sipas nevojave të përkthyesve dhe lektorëve të të gjithë institucioneve, të organeve të administratës, së pari të ministrive, ndërmarrjeve publike dhe gjykatave dhe gjithë sektorit publik, për çka janë angazhuar profesorët më eminentë nga Maqedonia е Veriut, Kosova dhe Shqipëria.
Drejtori Ylber Sela vuri në dukje edhe mosinteresimin e studentëve për t’u regjistruar në fakultet ku bëhet aftësimi i përkthyesve, që e bën më të madhe rëndësinë e këtyre trajnimeve. Ai përkujtoi se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës tashmë ka botuar një doracak për administratorët, që është i pari në rajon i këtij lloji dhe planifikon edhe hartimin e një softueri të terminologjisë juridike e administrative, që do të jetë një ndihmesë e madhe praktike për administratën.
Trajnimin e përshëndeti edhe ministrja e Kulturës, Irena Stefoska, e cila midis tjerash theksoi se kujdesi për gjuhën është pasuria më e madhe që mund ta ketë një popull dhe se kemi përgjegjësi të madhe si shoqëri dhe qytetarë, që t’i kultivojmë gjuhët që fliten në Republikën e Maqedonisë së Veriut. “Siç ka thënë linguisti i njohur dhe miku i madh yni, prof. Viktor Fridman, Maqedonia është zemra e kontakteve ballkanike”, theksoi Stefoska.
Duke përshëndetur iniciativën për trajnimin e përkthyesve dhe të lektorëve, ministrja Stefoska, tha se nevojat për njohje profesionale të gjuhëve dhe zbatimit të tyre në sferën publike është thelbësore për funksionimin e jetës së përditshme. Kjo nënkupton unifikim të terminologjisë profesionale në gjuhët, që përdoren në vend dhe ngritjen e cilësisë së përdorimit të tyre. Ministrja Stefoska tha se angazhohet për kthimin e dinjitetit të punës së përkthyesve, kurse paralajmëroi edhe licencimin e lektorëve në gjuhën shqipe, në të njëjtën mënyrë siç është i rregulluar statusi i lektorëve të gjuhës maqedonase.
Në hapje të etapës së parë të trajnimit të përkthyesve dhe lektorëve ishte paralajmëruar të jetë i pranishëm edhe zv. kryeministri i parë i qeverisë, Artan Grubi, i cili mungoi për shkak të detyrave, ndërkaq në emër të tij, punë të mbarë e të suksesshme ju uroi pjesëmarrësve të trajnimit Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Sistemit Politik, Rami Qerimi.
Trajnimet ishin paraparë të mbahen në tri grupe, ku do të trajtoheshin tema të ndryshme nga fusha e përkthimit, si një ndihmesë praktike në zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, në ruajtjen, promovimin dhe mbrojtjen e gjuhëve zyrtare dhe statusin e tyre të barabartë në RMV, por për shkak të masave të reja të Qeverisë nga situata me Covid 19, trajnimet do të shtyhen për një periudhë të caktuar, me ç’rast kandidatët pjesmarrës do të njoftohen me kohë për mbajtjen e tij.

Marketing

Marketing