Agjenti i Salahut e sqaron lajmin për zënkën mes Salahut dhe Kloppit

Pasi u raportua se Mohamed Salahu e ka kërkuar largimin nga Liverpooli, pas një zënke me trajnerin Jurgen Kloppit, agjenti i egjiptianit, Ramy Abbas Issa, i ka mohuar këto spekulime, duke i quajtur gënjeshtra.

E përditshmja spanjolle, AS, pretendoi se 26-vjeçari Mohamed Salah ua ka kërkuar drejtuesve të Liverpoolit largimin nga klubi këtë verë, pasi që raportohej se e kishte pasur një zënkë me trajnerin e tij, Jurgen Kloppin, transmeton Gazeta Express.

Real Madridi kishte shprehur edhe më herët interesim për Salahun dhe ata thuhet se janë duke e mbikëqyrur situatën e egjiptianit në Liverpool, pasi që mund të bëjnë ofertë për transferimin e tij gjatë verës.

Megjithatë, agjenti i Salahut e sqaroi menjëherë këtë situatë, duke sugjeruar se AS e ka trilluar këtë raport.
“Po flasin nga “AS” përsëri, siç po e shoh”, shkroi Ramy Abbas Issa në Twitter, duke e lidhur emrin e mediumit me fjalën angleze “ass”.

Nëse Salah futet në treg këtë verë, shumë nga klubet më të mëdha evropiane do ta shprehnin interesimin për të, që është njëri ndër lojtarët më të vlerësuar për momentin.

Ai i ka shënuar 22 gola në 45 ndeshej të këtij sezoni, mirëpo nuk e ka arritur nivelin që e tregoi sezonin e kaluar, kur i shënoi 44 gola në 52 ndeshje dhe përfundoi në vendin e dytë në garën për Këpucën e Artë të Evropës, pas Lionel Messit.
Kontrata e Salahut me Liverpoolin është e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2023. Ai iu bashkua klubit anglez më 1 korrik të vitit 2017, ndërsa e rinovoi këtë kontratë vetëm 1 vit e një ditë më vonë, më 2 korrik të vitit 2018.

Çmimi i tij, sipas transfermarkt, besohet se është 135 milionë funta, mirëpo Liverpooli pritet të pranojë vetëm oferta më të larta për egjiptianin.