Ahmeti – Bratushek: Qytetarët tanë duan integrim në NATO dhe BE

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, është takuar me ish Kryeministren e Republikës së Sllovenisë, zonjën Alenka Bratushek dhe Ambasadorin Slloven në Maqedoni, z. Milan Jazbec.

Kryetari Ahmeti ka njoftuar zonjën Bratushek me zhvillimet e fundit në vend në lidhje me reformat dhe integrimin euroatlantik, ndërsa bashkëbiseduesit kanë këmbyer pikëpamje edhe rreth situatës në rajon.

Lideri Ahmeti ka përsëritur qëndrimin e gatishmërisë absolute të Bashkimit Demokratik për Integrim për të kontribuar drejt përmbushjes së hapave për integrimin e plotë të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

E vetmja alternativë për Maqedoninë është integrimi EuroAtlantik, reformat sistemore, marrëdhënie të mira ndëretnike, luftë e pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit. Të gjitha këto janë parakushte për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie shoqërore.

Z. Ahmeti u shpreh i bindur që shumica absolute e qytetarëve do të përkrahin integrimin në NATO dhe BE, ndërsa ftoi opozitën që t’i bashkëngjitet rrumbullakimit të procesit integrues sepse këtë e presin qytetarët tanë.

evn