Filluan aktivitetet për ndërtimin e sistemit të ri për furnizim me ujë Raven – Reçicë i cili do të kushtojë mbi 15 milionë euro dhe do të ndërtohet në pesë vitet e ardhshme.
Me këtë sistem do të përfshihen 22 vendbanime në Gostivar, Vrapçisht, Bogovinë dhe Tetovë.

Do të përfshihen edhe sipërfaqet bujqësore në anën e djathtë të autostradës Tetovë – Gostivar deri në rrëzë të Malit Sharr, si edhe sipërfaqet prej anës së majtë të rrugës me sipërfaqe të përgjithshme prej mbi 3.300 hektarë.

Në fillim të punimeve ndërtimore sot morën pjesë kryeministri Zoran Zaev, zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, ministri i Transportit Goran Sugareski, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

“Prioritet i yni mbetet ndihmesa e bashkësive lokale kur u nevojitet ndihmë me qëllim të zhvillimit të jetesës së qytetarëve tanë. Bashkësi lokale të qëndrueshme janë baza për zhvillimin e sistemit ekonomik, rritjen dhe zhvillimin. Duke filluar prej mjediseve lokale duam t’i mbështesim anët tona të fuqishme – punën dhe ndershmërinë”, tha kryeministri Zaev, duke shtuar se mjetet janë siguruar përmes Programit për zhvillim rural.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, tha se me përfundimin e këtij projekti jo vetëm banorët e Pollogut por edhe të mbarë shtetit do të furnizohen me produkte të shëndosha bujqësore.
Ministri i Bujqësisë theksoi se sistemi do të ndërtohet në dy faza edhe atë në fazën e parë do të bëhet vendosja e tubit kryesor, ndërsa faza e dytë do ta përfshijë vendosjen e rrjetit detajuese dhe tubave të veçanta në një zonë të caktuar nën malin Sharr.

Periudha e paraparë për ndërtimin e tij është 60 muaj dhe mu për këtë që vitin e ardhshëm do të fillojë procedura për përpunimin e dokumentacionit teknik për realizimin e edhe të fazës së dytë të projektit.

Me ndërtimin e tij do të mundësojmë që rajoni i Pollogut të mos ketë problem me prodhimin e fasules së njohur të Tetovës, misrit, kulturave të pemëtarisë dhe të tjera nga ky rajon”, tha Nikollovski.

Shtoi se në mënyrë intensive është duke u punuar edhe për investime të tjera kapitale në ekonominë e ujërave dhe se janë duke u përshpejtuar procedurat në këtë rajon të cilat kishin ngecur me vite. Paralajmëroi se do të aktivizohen mjete prej mbi shtatë milionë euro të dedikuara për sisteme të vogla për ujitje, si dhe projekti për ujitje i Luginës së Vardarit të Jugut.