Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti i është bashkëngjitur sot ngjarjes së organizuar nga Instituti amerikan NDI dhe IRI e cila njëherësh ka të bëjë me trajnimin e 170 anëtarëve të strukturave të degës së BDI- Çair e cila u mbajt në Strugë.

Ai me këtë rast ka dërguar falënderime të veçanta organizatave amerikane NDI dhe IRI që siç tha, “na kanë qëndruar pranë gjatë gjithë kohës dhe janë pjesë përbërëse e ndërtimit të strukturave tona partiake, programit tonë, qeverisjes së mirë dhe strategjisë zgjedhore”.

“Vajzat dhe djemtë që janë rreshtuar pas vizionit tonë dhe kanë ndërtuar politikat tona të suksesshme dhe të përqafuara fuqishëm nga qytetarët, sollën fitoret e vazhdueshme që nga viti 2002 dhe do ta korrin edhe fitoren e radhës më 12 prill. Ky është shtabi zgjedhor i degës tonë në Çair, më i fortë, i konsoliduar, inovativ, i përgatitur, me prurje të reja dhe fitimtar. Kështu i kemi edhe shtabet në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë, Dibër, Saraj, Vrapçishtë, Bogovinë, Tearcë, Zhelinë, Likovë, Kumanovë dhe në të gjitha 36 degët tona. Po ndërtojmë gjeneratat e ardhshme të një BDI moderne, inovative, inkluzive, kompatibile dhe të përputhshme me të sotmen dhe të nesërmen, një BDI ashtu si e do ti, konzistente, realizuese, këmbëngulëse, fitimtare dhe vendimtare”, ka thënë Ahmeti në fjalimin e tij para simpatizuesve të kësaj partie.

Ndryshe, qëllimi i trajnimit është të stimulohet shërbimi organizativ i strukturave të subjektit politik në dobi të qytetarëve, si dhe të përvetësohen mekanizma të reja demokratike për perceptimin objektiv të kërkesave dhe nevojave të vazhdueshme të qytetarëve.