Ahmeti-Hellbach: Gjermania bashkë autore e suksesit tonë euroatlantik

Referendumi, zbatimi i ndryshimeve kushtetuese, reformat dhe zhvillimet rajonale ishin pjesë e bisedës në takimin e punës që sot zhvilloi kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti me Përfaqësuesin Special të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë për Evropën Juglindore, Turqinë dhe Shtetet e EFTA-s, Christian Hellbach dhe Ambasadorin Gjerman në Maqedoni, Thomas Gerberich.

Marketing

Ahmeti falënderoi z.Hellbach për mbështetjen e madhe gjermane për suksesin e marrëveshjes së Prespës dhe integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

Lideri i BDI-së Ahmeti ka thënë që shtabi i Bashkimit Demokratik për Integrim për referendumin e 30 shtatorit është në funksion të tërësishëm të suksesit.

Ahmeti theksoi që shumica dërmuese e qytetarëve nga të gjitha komunitetet në vend e mbështesin integrimin e vendit në NATO dhe BE, prandaj dhe pret referendum të suksesshëm.

Ahmeti përsëri ftoi opozitën maqedonase dhe atë shqiptare që ti bashkëngjiten rrugës euroatlantike dhe të përkrahin pa mëdyshje përpjekjet për realizim të hapave të domosdoshëm, referendumit dhe ndryshimeve kushtetuese.

Ali Ahmeti përshëndeti vizitën e kancelares Angela Merkel dhe nënvizoi që suksesi i integrimit dhe demokratizimit të shoqërisë është sukses i përbashkët i forcave vendore dhe komunitetit ndërkombëtar.