Ahmeti: Ideja për kryeministër shqiptar buron që para 11 vite

Kjo ide për kryeministrin e parë shqiptar buron para 11 vite dhe 3-4 muajt e fundit kemi filluar ta zbërthejmë dhe të konsultohemi, diskutojmë me kandidatë të mundshëm”, theksoi kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti në debatin e mbrëmshëm në TV Klan.

Marketing

“Unë kam biseduar me gati 10 kandidatë të mundshëm për të qenë kandidat për kryeministër. Zotëri Ziberi ishte ai i cili ideja ju duk ma e kapshme, por edhe kandidatë të tjerë që kam biseduar e kanë mbështetur këtë ide, por për arsye të ndryshme dhe agjendat e tyre që kanë pasur nuk kanë mund të shkëputen dhe nuk mundur të hyjnë në këtë veprimtari. Zotëri Ziberi shprehu gatishmërinë dhe me sukses është duke komunikuar me opinionin dhe duke sqaruar programin e tij se si do të drejtojë ekzekutivin e këtij vendi”, tha Ahmeti.

Ai tha se i vjen keq që konkurrentët, oponentët nuk e shohin, studiojnë platformën e BDI-së dhe do t’i porosis që ata me kujdes duhet të përcjellin dokumentacionet, historinë e BDI-së se mund të ndodhë edhe “në të ardhmen që të bien në një fushë të minuar siç ranë tani”.

“Më vjen keq që ata nuk i kanë analizuar dhe studiuar platformat, programet dhe synimet tona që kemi pasur tash e 11 vite më parë: ministër i Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme, kryetari i Kuvend, po t’i pyesnit aso kohe do të thoshin se nuk janë të realizueshme, por që tani këto gjëra janë realizuar”, tha ai.

Lidhur me deklaratën e kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev se BDI duhet të kalojë në opozitë, Ahmeti tha se çka është e shëndetshme për vendin nuk vendos as Zaevi, as Mickoski, e as ndonjë zotëri tjetër. Për shëndetin e vendit vendosin qytetarët, votuesit me 15 korrik.

“Sa i përket BDI-së, mbase ka shumë pritje, sepse BDI ka qenë pengesë për shumë parti dhe mund ta presin një gjë të tillë. Pritjet e tyre do të mbesin ashtu siç thuhet Duke pritur Godon’, se kjo nuk do të ndodhë, sepse për ta çuar BDI-në aty ku duan të tjerët, jam i sigurt se votuesit e BDI-së nuk do ta lejojnë këtë më 15 korrik dhe do t’i japin mbështetjen e fortë ashtu siç i kanë dhënë dy dekada me radhë, ashtu do t’i japin edhe misionit dhe kapitullit të ri historik q sa më shpejtë të integrohemi në BE dhe sa më parë këtë shtet ta shohim shtet funksional me sundim të ligjit dhe me qytetarë të barabartë”, tha ai.

Sa i përket koronavirusit, Ahmeti potencon se qytetarët janë të sigurt dhe u bëri thirrje të dalin të votojnë më 15 korrik duke i respektuar të gjitha masat e rekomanduara nga institucionet shëndetësore.

“Sa i përket virusit ne me shumë kujdes, angazhim që kemi bërë, sepse në radhë të parë kemi pasur që të tregohet kujdes ndaj shëndetit të qytetarëve dhe nëse ka pasur ndonjë dozë rezervë mbi organizimin e zgjedhjeve ka qenë pikërisht kjo. Deri sa jemi bindur nga organet dhe institucionet kompetente të fushës së shëndetësisë që do të merren të gjithë masat për organizimin e zgjedhjeve dhe do të sigurohet çdo qytetarë se nuk do të ketë asnjë rrezik drejt vendvotimit dhe në vendvotime ne nuk kemi dhënë dritën e gjelbër si BDI për organizimin e zgjedhjeve. Prandaj, i siguroj të gjithë qytetarët se institucionet shëndetësore i kanë marrë të gjithë masat për kujdesin dhe mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe të gjithë të drejtohen drejt kutive të sigurt duke i respektuar të gjitha këshillat që jepen nga organet kompetente”, tha Ahmeti.

Marketing