Ahmeti: Kazinot do të jenë 3 kilometra larg vendbanimeve

Në takimin ndërmjet Lëvizjes Qytetare “Anti-bixhoz” dhe liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti u vendos që të përpilohet një ligj i cili do të jetë në dobi të qytetarëve dhe se kazinot të jenë 3 kilometra nga vendbanimet.

Lideri Ahmeti deklaroi, se ai dhe bashkëpunëtorët e tij do të punojnë me përkushtim që përpilohet ligj i cili do të jetë në dobi të qytetarëve.

“Apelojmë te të gjithë ata, që mendojnë se kanë përfitime nga kjo fushë e veprimtarisë, le të largohen nga aty, le ti largojnë nga shkollat, nga objektet, të frekuentuara nga qytetarët, edhe pse lakminë ta prish gjithçka, së paku ne duam që lakmimet e pakrenueshme, t’u vendojmë premisa.

Do të përpiqemi që këto çështje të sanksionohen, dhe të vendosim që të përpilojmë një ligj i cili do të jetë në përputhshmëri në vullnetin e vullnetmirëve dhe në dobi të qytetarëve. Unë zotohem, se unë, dhe të gjithë bashkëpunëtorët e mi do të punojmë me përkushtim që të kemi rezultate”, tha Ahmeti pas takimit.

Pjesëtari i Lëvizjes “Anti-bixhoz”, Xhemal Avdiu deklaroi se lideri Ahmeti u ka premtuar se do të pranohet kërkesa që kazinot të jenë 3 kilometra larg vendbanimet.

“Na u premtua se do të bëhet çmos që do të sillet një ligj që do të jetë për të mirën e qytetarëve. Na u premtua që do të pranohet kërkesa jonë që kazinot të jenë larg 3 kilometra nga vendbanimet”, tha Avdiu.

Megjithatë, lideri AHmeti nuk premtoi se 10 deputetë e tij nuk do ta votojnë Ligjin për lojërat e fatit nëse në të njëjtin nuk integrohet edhe kërkesa që kazinot të jenë 3 kilometra larg.

“Ne jemi në një debat, nuk kemi negociuar me të gjitha palët. Dhe shpresojmë që do të arrihet më e mira në dobi të qytetarëve”, tha Ahmeti.

Ahmeti në konferencën për media ka komentuar edhe dërgimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Komisionin e Venedikut dhe ka treguar qëndrimin e BDI-së që në Maqedoni bashkë me zgjedhjet presidenciale të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.