Ahmeti: Kemi patur fillim vit të vështirë, por në fund të suksesshëm

Këtë fundvit do ta filloj duke përkujtuar edhe vitin e parë për humbjen fizike, por jo edhe shpirtërore të Abdilaqim Ademit e Ruzhdi Latës. Do të doja te përshëndes të gjithë ata që mbi shpatulla mbajtën përgjegjësi të larta, duke filluar që nga kryetarët e këshillave vendorë, sekretarët, kryetarët dhe sekretarëve të degëve, të gjithë ata që punuan me vullnet të fortë që ne për 13 procese zgjedhore të dalim krenarë dhe fitimtarë, deklaroi kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, në fjalimin me rastin e fundvitit para anëtarëve të partisë.

Marketing

“Dua gjithashtu të përshëndes dhe të falënderoj të gjithë ata përkrahës, miq dhe votues të Bashkimit Demokratik për Integrim, sepse ata na kanë dhënë legjitimitetin që ne të sigurojmë suksese dhe përpjekjet i kemi bërë që asnjëherë ata as mos t’i zhgënjejmë, e as mos t’i dëshpërojmë. Gjithashtu do të doja një falënderim të shpreh për të gjithë bashkë drejtuesit, nënkryetarët, anëtarët e kryesisë, anëtarët e këshillit të përgjithshëm që kemi bërë punë kolegjiale duke qenë gjithmonë në krye të detyrave të proceseve. Përshëndetje dhe suksese edhe për kryetarin e Parlamentit që më gëzon kur dëgjojë fjalë miradie nga miqtë e tanë qofshin ata të komunitetit ndërkombëtar, të vendeve të rajonit apo edhe të partnerëve të koalicionit.

Gjithashtu përshëndetje për ekzekutivin që me fanatizëm përpiqet të lehtësojë dhe zbatojë platformën e programin të cilin bashkë e kemi hartuar. Dua një falënderim për miqtë ndërkombëtarë, si partnerë, të cilët në të gjithë këto procese i kemi patur në të mirë të vendit, në të mirë të ardhmërisë dhe jo më kot e kam thënë dhe e them që sukseset e deritanishme duhet ndarë forcat mendore me miqtë e tanë si në Uashington, Brukseli ashtu edhe Aleanca e NATO-s. Projektet tona kanë qenë dhe mbeten projekte të rëndësishme, sigurisht që pa ndihmën, angazhimin dhe lehtësimin e komunitetit ndërkombëtar nuk do të kishim arritur ku jemi sot”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se kemi patur fillimvit të vështirë, por në fund të suksesshëm. Ju e shihni që para jush dhe pas nesh janë shtyllat e të arriturave tona duke filluar që nga ftesa për në NATO dhe fillimi apo lajmi i mirë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, ligjit për gjuhët, si një e arritur e pakontestueshme, marrëdhëniet me fqinjët. BDI gjithnjë ka investuar që në hapësirat e Evropës Julindore të dominojë paqja, stabiliteti, siguria. Kemi patur kontakte me funksionarë të institucioneve bullgare dhe kjo marrëveshje u arrit”, shtoi më tej lideri i BDI-së.

Ai shtoi se kanë pasur takime të shumta edhe me autoritete nga pala greke.

“Ne kemi qenë palë për ta kompliku procesin, ne kemi qenë pala inkurajuese dhe kontribuese që kontestet me palën greke njëherë e përgjithmonë të mbyllen dhe kjo marrëveshje u arrit në Prespë. Rajoni ka nevojë për më shumë paqe, stabilitet, siguri, mirëqenie e ardhmëri. Në vrullin e sipër janë procese të rëndësishme që e forcojnë, kontribuojnë në paqen e stabilitetit rajonal. Të gjithë e dinë që akoma ka mbetur një vrimë e zezë pa u rregulluar problemi Kosovë-Serbi. Ne i inkurajojmë palët që të gjejnë energji dhe të arrijnë një zgjidhje të dobishme. Unë nuk mund të jem indiferent ndaj këtyre zhvillimeve, mbase kam edhe nostalgji sepse organizimi im profesional e funksional e fillova në hapësirat e Kosovës”, tha Ahmeti.

Ne këtu në Maqedoni, tha lideri i BDI-së, ndodhemi në fund të përmbylljes së një procesi, jemi në minutat e fundit të një loje të madhe, jemi në momentin ku do të regjistrohet suksesi dhe të na vendosë në krye të tabelës.

“Edhe pse është një proces delikat, do ta përshkruaj si lindje e një foshnjeje që do kujdes gjatë trajtimit sepse çdo pakujdesi mund t’i dredhë qoftë palcën ose qafën. Dhe kjo foshnje në lindje kërkon trajtim për rritje, ambient shumë të sigurt që të kemi energji dhe kapacitet që këtë proces mos ta lëmë as në mëshirë të fatit, e as të sehirxhinjve. Andaj bëjmë thirrje që opozitës së të dy anëve të kyçen në lojën vendimtare për suksesin përfundimtar. Me 9 janar fillon seanca për ndërtimin e historisë më të re të këtij shteti o organizuar dhe pranuar nga të gjitha strukturat NATO, BE, në miqësi dhe harmoni me të gjitha vendet e rajonit. Prandaj opozita nga të dyja anët mos ta shfrytëzojë këtë situatë kaq të rëndësishme dhe vendimtare për kredibilitetin e vet politik e partiak, sepse në këtë situatë nuk është momenti që ne të shfrytëzojmë këto momente të rëndësishme për zgjerim dhe rritje të partive politike dhe këtë moment vendimtar, moment historik i papërsëritshëm vendoset për ardhmërinë të brezave të tërë, vendoset për një shtet të nderuar dhe respektuar nga të gjithë, nga vendorët e deri tek ndërkombëtarët. Ne nuk lindëm as nga sallonet e as nga ekranet televizive, ne lindëm si nevojë e kombit shqiptar dhe me përkushtim jemi përpjekur që këtij misioni t’i dalim zot dhe jemi treguar dalzotës të vërtetë”, tha Ahmeit.

E gjithë udhëheqësia e BDI-së, shtoi ai, është e vetëdijshme se ka akoma punë për t’u bërë.

“Unë nuk jam kundër partive tjera, por edhe shqiptarëve të Maqedonisë nuk u duhen dhjetëra parti, sepse po ngrisin telashe, pakënaqësi nëpër familje sepse nuk jemi miliona e miliarda e të mos merret vesh se çfarë flet njëri e çfarë flet tjetri në konak. Më shumë se dy parti nuk kanë nevojë në këto hapësira, sepse ekzistenca e dhjetëra të tjerave janë aq të rëndësishëm, aq edhe të papërfillshëm. Para nesh vijnë zgjedhjet presidenciale, BDI është konsekuent në qëndrimet e veta dhe duam president të dakorduar nga palët dhe në këtë rast nga palët që kanë marrë përsipër ta shpiejnë Maqedoninë drejt majave fitimtare. Akoma zgjedhje apo emër konkret nuk kemi dakorduar dhe gjërat janë në rrugën e duhur për t’u dakorduar për një personalitet të dakorduar mes palëve”, tha Ahmeti.

Ai paralajmëroi se prioritetet që do t’i realizojnë gjatë vitit të ardhshëm janë rritja e cilësisë dhe vlerave, shëndetësia, arsimi, ambienti jetësor, sundimi i së drejtës etj.