Përveç Ali Ahmetit, edhe kreu i PDSH-së Menduh Thaçi sot ka shfrytëzuar foltoren e parlamentit për të iu drejtuar deputetëve.

Përkundër Ahmetit i cili i dha kredit partisë së tij për aderimin e Maqedonisë në NATO, Thaçi meritat më të mëdha ia dha kryeministrit Zoran Zaev për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Ai tha se duhet të lihen anash fjalët e partive të tjera se kinse janë meritore për çështje të rëndësishme për të cilat Zaev mori guxim t’i ndryshojë.

“Ne të gjithë kemi votuar, por ai që e bëri këtë të ndodhë është ish-kryeministri Zoran Zaev” tha Thaçi gjatë seancës solemne për ratifikimin e Protokollit për aderim të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Kjo nuk është hera e parë që kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi i “vardiset” ish-kryeministrit, njëherazi edhe kreut të LSDM-së, Zoran Zaev.

Kur u pyet për këtë dukuri, Thaçi tha se kjo nuk do të thotë se do të shkojë në koalicion parazgjedhor me LSDM-në por që vetëm po e flet të vërtetën.