Ahmeti: Mbështes kandidatin maqedonas në zgjedhjet presidenciale, konsensualiteti u shërben shqiptarëve

Kreu i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka rrëfyer në një intervistë për gazetën “SOT” se përse vendosi që të mbështesë një kandidat maqedonas në zgjedhjet presidenciale. Më 21 prill, përballë dy kandidatëve maqedonas, doli dhe shqiptari Blerim Reka, i cili humbi. Por partitë shqiptare nuk u unifikuan dhe BDI i qëndroi besnike koalicionit me LSDM-në e Zoran Zaev, duke mbështetur kandidatin Stevo Pendarovski. Kjo ka bërë që opozita shqiptare në Maqedoni të sulmojë Ali Ahmetin. Në intervistë, kreu i BDI, është shprehur se shqiptarët mund të forcojnë pozitat e tyre në Maqedoni vetëm përmes konsensusit. Ahmeti ka rrëfyer se ka pasur disa konsulta me kryeministrin Zoran Zaev dhe në fund është vendosur për zotin Pendarovski, i cili ka dalë i pari dhe në sondazhet para zgjedhjeve. Po ashtu ai ka kërkuar nga opozita shqiptare që të mos bëjë patriotizëm folklorik, por të punojë në interes të shqiptarëve. Më tej Ahmeti ka deklaruar se BE duhet që të vendosë hapje negociatash si për Shqipërinë, ashtu dhe për Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar që të mos ketë ndarje. Ahmeti ka dhënë dhe detaje për negociatat me Greqinë për çështjen e emrit, pasi falë BDI u arrit marrëveshja dhe u hap rruga drejt BE dhe anëtarësimit në NATO. I pyetur për situatën politike në Shqipëri, kreu i BDI deklaroi se palët politike do e gjejnë mundësinë e dialogut për të mirën e vendit. Sa i takon idesë për korrigjim kufijsh, Ahmeti është shprehur se është një çështje mjaft delikate dhe që kërkon shumë kujdes.
-Çështja më aktuale në Maqedoninë e Veriut është ajo e zgjedhjeve presidenciale. Ju keni dalë në mbështetje të kandidatit Pendarovski. Si po ecën procesi zgjedhor dhe pse mbështesni një kandidat maqedonas, ndërkohë që kandidonte dhe një shqiptar?

Marketing

Duhet përshëndetur se procesi zgjedhor po ecën mirë. Nuk ka pasur përplasje. Ka pasur interes konkurrentësh. Për nga përkatësia ka pasur dy kandidatë maqedonas dhe një shqiptar. Ne kemi përcaktuar për kryetar shteti një kandidat të përbashkët, i partive politike që janë pjesëtare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe këtë koncept e kemi paraqitur tani e 6 vite më parë. Kjo pasi kemi parë që ne shqiptarët nuk arrinim dot, vetëm me elektoratin shqiptar, vetëm me votat shqiptare të sigurojmë mandatin, të sigurojmë fitoren për president. Kjo sepse gjërat këtu në Republikën e Maqedonisë, si vend multi-etnik, sigurisht që shumë çështje duhet të negociohen, bisedohen dhe të dakordësohen mes palëve. Para 6 vitesh unë kam biseduar në radhë të parë me partnerin e koalicionit që kisha, me VMRO-DPMNE drejtuar nga zoti Nikolla Gruevski. Unë kam paraqitur mendimet e mia, por dhe kam paraqitur kandidatë të mundshëm për kryetar shteti dhe gjithmonë kam pasur parasysh që të mos jem radikal, që të paraqes një emër shqiptar, por një kandidat, i cili vetë të bëjë paraqitje në vendbanimet shqiptare dhe të respektohet prej tyre. Në atë kohë unë kam propozuar si kandidat një profesor si Vlado Popovski, që ka shkruar 4 libra për historinë e shqiptarëve, e njeh mirë historinë e shqiptarëve dhe ka respekt për elitat intelektuale. Por ata nuk ishin të gatshëm dhe unë nuk kam vepruar pas shpine që të bëj negociata me partinë opozitare të asaj kohe, Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë. Por ja kam thënë në sy Gruevskit që unë do bisedoj dhe me partinë shqiptare. Po ashtu, i kam thënë që nëse unë gjej konsensus, pavarësisht se jemi në koalicion, unë në këtë garë për këtë koncept, pra për një kandidat konsensual dhe të dakordësuar bashkërisht mes dy komuniteteve më të mëdha, do hyj dhe me opozitën. Dhe i kam bërë propozimin zotit Zoran Zaev në atë kohë, ku i kam shkuar me emër konkret. Edhe atij i kam propozuar një profesor universiteti, Denko Maleski, mirëpo nuk pati gatishmëri në atë kohe edhe nga opozita, për të përqafuar një kandidat të përbashkët dhe të pranueshëm. Pra e tërë kjo filozofi nuk funksionoi në atë kohë dhe ne e lamë në vullnetin që të vendosë komuniteti shqiptar në atë kohë, nëse do marrë pjesë në garë dhe nëse do votojë kandidatët që paraqitën dy partitë e komuniteti maqedonas. Shqiptarët zgjodhën heshtjen dhe nuk votuan për zotin Ivanov, që është president aktual.

-Po me kryeministrin aktual keni pasur negociata për këtë çështje dhe pse mendoni që zoti Pendarovski do sjellë ndryshime në politikën maqedonas, duke qenë se ai ka kandiduar dhe në zgjedhjet e kaluara?

Po. Që nga afrimi i zgjedhjeve presidenciale, e kemi hapur sërish këtë temë dhe kemi biseduar, ku gjetëm gjuhën e përbashkët me zotin Zaev, si kryetar i partisë më të madhe të komunitetit maqedonas. Arritëm ta pranojmë si koncept edhe me parti të tjera etnike. Janë 31 parti, ku 4 janë shqiptare, ndërsa 27 janë maqedonase, vllehe, serbe, rome, turke, etj., që u solidarizuan me kandidaturën e përbashkët dhe rreth idesë për një president konsensual, edhe pse i njëjti kandidat ka qenë para 5 vitesh. Dhe me të drejtë ju pyesni se ku ndryshon ky Stevo tani, nga ai i para 5 viteve? Para 5 viteve nuk ka qenë i dakordësuar, ndërsa pas 5 vitesh kam dashur që partnerit tim të koalicionit t`i revanshohem me përparësinë që të bëhen anketime, edhe për kandidatë që ai mendon se janë të mundshëm, maqedonas dhe shqiptarë. Sigurisht që Stevo Pendarovski ka fituar në anketimet që janë bërë, më shumë përkrahje në komunitetin shqiptar dhe atë maqedonas. Revanshizmi që unë desha t`i bëj është se Stevo Pendarovski ishte shumë i afërt me pikëpamjet, me idetë dhe politikat e BDI dhe e kam pranuar si kandidat. E fundit fare, legjitimitetin në këtë vend e kanë dy partitë më të mëdha. Te shqiptarët e ka Bashkimi Demokratik për Integrim, te maqedonasit e ka LSDM. Të gjithë filozofinë tonë ne ja u kemi përqafuar dhe partive të tjera dhe është përqafuar si ide nga 31 subjekte të këtij vendi.

-Më konkretisht, në gjykimin tuaj çfarë prisni të sjellë kandidati në fjalë, për Maqedoninë e Veriut, por dhe për shqiptarët, të cilët janë komunitet mjaft i madh dhe kanë rol vendimtar në zgjedhje?

Unë pres, por jo vetëm që pres, por jam i sigurt se zoti Pendarovski do të kryejë me përgjegjësinë më të lartë misionin e tij si kryetar shteti. Që nuk do të jetë pengesë në proceset tanimë shumë të rëndësishme siç është anëtarësimi i vendit në NATO apo hapja e negociatave për anëtarësim në BE. Dhe presidenti i ardhshëm do të jetë pjesë e këtij procesi kaq të rëndësishëm dhe të shumëpritur, jo vetëm për shqiptarët, por dhe për pjesën dërrmuese të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Dhe nuk do të kemi pengesa, ashtu siç kemi pasur vitet e fundit me kryetarin aktual, apo të ashtuquajturin kryetar, pasi unë nuk e kam votuar dhe po ashtu shqiptarët nuk e kanë votuar. E tërë veprimtaria e presidentit aktual mund të përmblidhet se ka vepruar kundër interesave të shtetit dhe ka vepruar kundër integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Kjo nuk mund të përsëritet dhe jam i sigurt që nuk do ndodhë që gabimet që ka bërë kryetari aktual, t`i bëjë dhe kryetari i ardhshëm. Jemi shumë të angazhuar që më 5 maj zgjedhjet të jenë të suksesshme dhe më 5 maj, unë e them simbolikisht: Nuk fiton Pendarovski, por fiton vendi, fiton Republika e Maqedonisë së Veriut. Më 5 maj votohet për anëtarësim në NATO, votohet për integrim në BE. Pasi nëse ne nuk e realizojmë këtë mision kaq të rëndësishëm, me këto zhvillime kaq të mëdha historike, do japim mesazh shumë të keq për komunitetin ndërkombëtar që ne nuk jemi një shoqëri e përgatitur për të zgjedhur një kryetar shteti e lëre më që të çojmë vendin drejt NATO e BE, apo të bëjmë reforma të nevojshme siç janë reformat në gjyqësor apo angazhim i strukturave kundër krimit e korrupsionit dhe se në këtë vend duhet të sundojë ligji. Janë disa militantë të disa partive që duan ta shfrytëzojnë këtë situatë për qëllimet e tyre editore dhe bëjnë propaganda nga më të ndryshmet. Se gjoja nuk do arrihet censusi, se gjoja se nëse dështon ky proces, do të fitojnë shqiptarët. Jo, shqiptarët nuk fitojnë nëse dështon procesi, pasi ne humbim hapin e duhur drejt anëtarësimit dhe përmbylljes me sukses të Maqedonisë së veriut në NATO dhe në hapjen e negociatave në BE.

-Ju e prekët pak, që kjo situatë po përdoret nga parti të tjera. Ndër to është dhe opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ajo e cila ju ka sulmuar dhe anatemuar, mbi faktin që nuk patët një mbështetje ndaj kandidatit shqiptar, zotit Blerim Reka. Keni një përgjigje ndaj tyre?

Ne kemi marrë pjesë para 10 vitesh dy herë në garë për kryetar të shtetit. Në të dyja rastet ne e kemi ditur që në fillim të garës se ne nuk mund të fitojmë. Herën e parë unë jam ulur me gjithë stafin tim dhe u kam thënë që ta mendojmë më mirë, sepse ne po bëjmë një punë ku nuk fitojmë. Ne do arrijmë të realizojmë qëllimet tona vetëm përmes dialogut, përmes mirëkuptimit, përmes konsensualitetit, sepse një nga pikat e marrëveshjes së Ohrit është demokracia konsensuale. Konsensualiteti ekziston në shtete multi-etnike. Nuk zgjidhej dot çështja e emrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut pa pjesëmarrjen aktive të shqiptarëve në këtë vend. Kjo sepse duhej dakordësi nga të dyja palët, pasi nëse një palë nuk dakordësohet, procesi dështon. Kështu që, ne dhamë kontributin tonë maksimal për zgjidhjen e çështjes së emrit. Dhamë kontributin tonë për arritjen e një marrëveshjeje me palën bullgare për fqinjësi të mirë. Sigurisht që ka mirëkuptim mes komunitetit shqiptar dhe maqedonas. Sot Republika e Maqedonisë së Veriut ka më shumë marrëveshje me vendet ku banojnë shqiptarët, që janë Shqipëria e Kosova. Unë jam menduar shumë për këtë çështje dhe zgjodha konsensualitetin, ku e shpjegova më lart.

-Si është gjendja sot e shqiptarëve në Maqedoni, pasi duke u ndalur te qëndrimet e opozitës shqiptare, ju akuzojnë se nuk është bërë sa duhet në këtë aspekt?

Ikën kohërat e patriotizmit folklorik. Kanë ikur kohërat e fjalomanisë, gojën plot me fjalë `shqiptari i madh`, apo `kuq e zi`. Sot është koha e veprimit. Sot duhet të jemi shumë racionalë. Nëse ke kërkuar flamurin, që para 20 viteve e kishe të ndaluar, sot flamurin nuk e ndalon kush. Flamurin e ke në çdo institucion ku je mbi 50 për qind, se kështu është në Marrëveshjen e Ohrit, ndërkohë që shumë pak ka vende janë nën 50% në hapësirat ku jetojnë shqiptarët. Gjithsesi, flamuri është në përdorim, në dasma, festa kombëtare, festa familjare, etj. Flamuri është në përdorim legal në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Nëse e ke pasur gjuhën e ndalur dhe të pashkruar, sot gjuha shqipe është lëvruar dhe e ke të garantuar me ligj. Është i vetmi vend që gjuha shqipe garantohet me ligj. Pra gjuha e unisuar dhe jo gjuhët arkaike, apo të principatave, por gjuha e unisuar, gjuha shqipe. Po ngrihen institucione mbi zbatimin e vendimit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe gjobat për moszbatim të ligjit është deri në 5 mijë euro. Pse i them këto? I them sepse të thirresh në emër të shqiptarisë, mos e kërko fajin te i huaji, kërkoje te vetvetja. Sa janë shqiptarët duke punuar? Sa janë shqiptarët të profesionalizuar? Sa janë shqiptarët të shkolluar? Ne pretendojmë të jemi anëtarë në BE. Si do konkurrosh në BE? Nuk konkurrohet me antivlera e mediokër, por konkurrohet me vlera. Ne duhet të instalojmë vlera sepse dobësia është e jona. Unë i kam tejkaluar emocionet. Por si duket partitë që formohen rishtazi janë në adoleshencë dhe kuptohet në adoleshencë bëhen dhe gabime. Unë u them atyre dhe të gjithë njerëzve: Hajdeni ta shohim nëse është bërë diçka keq, por ta shohim te vetvetja problemin. Nëse kemi bërë diçka keq, hajde të korrigjohemi. Jo se e ka fajin ky apo ai. Sot janë 3 universitete shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Nëse para 13 apo 14 vitesh është legalizuar Universiteti i Tetovës, pas 14 vitesh është themeluar Universiteti `Nënë Tereza` në Shkup. Para 20 vitesh ky universitet është hapur me gjak dhe ka funksionuar ilegalisht si institucion arsimor. Sot në Universitetin e Tetovës ke nga të gjitha anët studentë, nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, etj. Unë si shqiptar i Maqedonisë, në vitet `80 kam ëndërruar për arsim të lartë në Maqedoni dhe jam burgosur sepse kam kërkuar arsimim të lartë, si nacionalist, separatist. Unë jam shkolluar në Prishtinë dhe unë jam produkt i Universitetit të Prishtinës. Nëse nuk do ishte dhe ai universitet shqiptar, rrezikonim të shkriheshim nga harta. Ai universitet me atë rrethim të çeliktë, me atë diktaturë që ishte, e bëri punën e vet. Sot ne të frikësohemi që nuk do ecim para me 3 universitete, 2 shtetërore dhe një privat-publik që e financon shteti (Universiteti i Evropës Juglindore), nuk frikësohem. Pse të thërrasim çdo ditë shqiptari, kur shqiptari është të bësh punë shqiptarie. Jo llafe, por vepra. Universitetet janë të hapur, ec e bëji më të mira. Nxirr kuadro më të mirë. Nxirr inxhinierë të mirë. Nxirr mësues të mirë. Vetëm vlera na nderon neve si komb, asgjë tjetër.

-Një çështje tjetër aktuale është ajo e integrimit. Në Berlin u mbajt Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria me Maqedoninë e Veriut presion hapje negociatash në qershor. Mendoni se Brukseli do japë dritën jeshile për të dyja vendet, apo do kemi një ndarje?

Unë dua të bazohem te deklarata e eurokomisionerit Hahn, i cili është përgjegjës për zgjerimin, i cili në fillim të javës bëri një deklaratë shumë të fortë, ku u shpreh se negociatat për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të hapen në qershor. Unë dua të besoj në këtë deklaratë të zotit Hahn, pasi ai është personi më kompetent në BE. Tani sa i takon Shqipërisë, përpjekjet bëhen që ne bashkërisht, ashtu siç ishim në një `pako` për anëtarësim në NATO, po ashtu jemi në të njëjtën `pako` për në BE. Në NATO Shqipëria u anëtarësua e vetme, ndërsa ne u ndamë për shkak të moszgjidhjes së çështjes së emrit. Shpresoj që tani kjo të mos ndodhë, pasi në interes të rajonit është që Republika e Maqedonisë dhe Shqipëria të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Me anëtarësimin e vendeve tona nuk dobësohet Evropa, por përkundrazi, forcohet më tej. Duhet të kemi një Evropë më stabile. Shpresoj që të ketë rezultat pozitiv dhe të marrin vendimin e duhur, në dobi të Europës, si Këshilli i BE, ashtu dhe vendet që janë anëtare të BE. Të gjitha të jenë në mbështetje të zgjerimit. Si duket edhe këto vende kanë vështirësitë e tyre.

-Pra mos ndoshta pengesat për negociatat vijnë edhe si rrjedhojë e problemeve të brendshme të shteteve të BE? Ndërkohë që do kemi dhe zgjedhje në qershor.

E vërtetë. Evropa po përballet me vështirësi. Me lëvizje që nuk e kanë frymën pro-evropianiste. Që nuk e kanë frymën e zgjerimit dhe si duket kjo është si rrjedhojë e dyndjeve të mëdha të emigrantëve nga Lindja e Mesme apo Afrika. Unë mendoj se është një problem, por Evropa ka kapacitete ta tejkalojë situatën, duke zgjidhur problemet në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë. Askush nuk do të braktisë vendin e tij, por ata kanë një hall që i detyron të largohen dhe të rrezikojnë jetën e tyre në dete e oqeane. Duhet të gjendet mënyra e përparimit dhe zgjidhjes së këtyre konflikteve që marrin shumë jetë njerëzish si në Siri, ashtu dhe Afrikë. Por këto janë çështje që duhen trajtuar me seriozitet nga BE. Por nuk mundet që haraçin ta paguajnë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi evropianë. Evropa Juglindore edhe gjeografikisht është pjesë e Evropës. Pse ne të paguajmë haraç?

-Ju kemi pasur një rol shumë të rëndësishëm në marrëveshjen e Prespës. Sa të vështira kanë qenë negociatat me Greqinë, pasi BDI është partia e cila po çon Maqedoninë e Veriut drejt NATO dhe BE?

Gjatë 10 viteve të fundit, në krye të axhendës ne kemi pasur anëtarësimin në NATO dhe në BE. Nuk e ekzagjeroj kur them se e kemi pasur mision kryesor anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Duke u anëtarësuar vendi ynë në NATO, krijohet më shumë stabilitet. Vendi është shumë më i sigurt dhe krijohen marrëdhënie më të mira ndëretnike, pasi ne kemi pasur probleme mjaft serioze në këtë aspekt. Kemi pasur dy komunitete të ndara. Komuniteti maqedonas e shihte në mënyra fanatike ndryshimin e emrit, pasi shihej se do sillte ndryshimin e historisë së këtij vendi. Ishte bërë një propagandë e keqe në drejtim të ndryshimit të emrit. Dhe ne kemi kontribuuar në opinion me deklarata shumë afirmative. Kjo sepse asgjë nuk humbim dhe ndryshojmë. As nuk rrezikohet identiteti dhe historia do jetë e pa hiperbolizuar dhe e vërteta do jetë në pah. Kemi qenë partia e vetme që kemi komunikuar me palën greke, me palën bullgare, si në nivel kryeministrash, ashtu dhe ministrash të Jashtëm. Kam pasur dhjetra takime me autoritetet greke e bullgare që të japim një mesazh për komunitetin ndërkombëtar që komunikimi ndërshtetëror ekziston. Përveç meje, vizita ka bërë ministri i Mbrojtjes nga radhët e BDI, zëvendësministrat për çështjet evropiane, ka pasur vizita të shumta në këtë drejtim. Unë e thashë dhe në fillim, që pa u dakordësuar të dyja palët, nuk mund të jetë epilogu pozitiv. Në këtë rast u dakordësuan edhe pala e komuniteti maqedonas dhe arritëm të realizojmë një aspiratë mjaft të madhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Është bërë një punë mjaft e madhe për të pasur stabilitet, zhvillime ekonomike. Duke u anëtarësuar në NATO, sigurisht që rritet besueshmëria edhe te investitorët vendas dhe te ata të huajt.

-Duke u ndalur te angazhimi i qeverisë maqedonase, dua t`ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë: Si ecën koalicioni BDI-LSDM? A ka probleme, pasi në zgjedhjet presidenciale fushatat kanë qenë të ndara dhe flitet se mund të kemi dhe zgjedhje të parakohshme?

Ka shumë legjenda. Por dua të them se koalicioni funksionon shumë mirë. Sigurisht që brenda këtij partneriteti, këtij koalicioni të madh ka individë që mendojnë ndryshe. Nuk mendojnë, për shembull njësoj si udhëheqësi i qeverisë apo kreu i partisë më të madhe, por kjo nuk e cenon dhe pengon funksionimin e stabilitetit të qeverisë të Republikës së Maqedonisë. Njëra nga legjendat që qarkullon është se shqiptarët nuk duhet që të dalin në zgjedhje, pasi në këtë mënyrë do të bëhet presidenti kryetari i Parlamentit, zoti Talat Xhaferri. Kjo përpunohet nga kundërshtarë të idesë, me qëllim të caktuar. Kjo nuk vjen nga BDI, por nga ata që përpiqen me mjete të tjera për t`u promovuar në politikë dhe dëmtuar filozofinë se nga ky proces zgjedhor fitojnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Është detyruar zoti Xhaferri të prononcohet dhe të thotë se ne nuk kemi nevojë për një president administrator që do të organizojë sërish zgjedhjet. Sepse ligjërisht pas 75 ditëve duhet që të ketë zgjedhje përsëri. Nëse dështojnë zgjedhjet do jetë zoti Xhaferi president? Jo nuk do jetë president. Do jetë administrator i thjeshtë që do organizojë zgjedhjet pas 75 ditëve. Nuk është interesi ynë që të vëmë një administrator president. Ne duam që të vendosim president afatgjatë. Nuk mund të krijojmë iluzion se idetë e mëdha do realizohen sot. Sot nuk realizohen. Kjo sepse duhet që të piqet shoqëria akoma. Duhet të kemi mendim të përparuar që të mos kemi ndasi, por të fitojë ai që është më i miri dhe ai që merr shumicën e votave. Apo ai që ka program më të mirë. Sot mediumet elektronike janë shumë të fuqishme dhe secili ka nga një portal. Lajmi i keq është lajmi i mirë për mediumet. Dhe e keqja zë vend më shpejt sesa e mira. Për të mirën duhet të punosh shumë për procese madhore. Gjërat e këqija nuk kanë nevojë për hyzmet. Koalicioni është në normalitet. Sigurisht që mund të ketë riformatim pas përfundimit të zgjedhjeve, por kjo do bëhet me konsultime bashkë me partnerët e koalicionit.

-Duke dalë nga situata e Maqedonisë, edhe në Shqipëri kemi një situatë të vështirë politike. Opozita ka djegur mandatet dhe po bojkoton zgjedhjet vendore. Keni një koment mbi krizën politike në Tiranë?

Me këtë pyetje më erdhi në kujtesë miku im Sabri Godo. Godo ka qenë një person që komunikonte çdo dy javë apo çdo muaj në Shkup e Prishtinë për të parë situatën dhe marrë mendime. Në një moment ai më pyeti: O Ali Ahmeti, ka kaq shumë vite që unë vij dhe po të pyes për hallet që i ke, që brenda mundësive tona ato halle të t`i zvogëlojmë. Ti asnjëherë nuk më ke pyetur për Shqipërinë, zhvillimet e brendshme, rrjedhat brenda partive, përplasjet, etj. Unë i thashë që për `nënën` dua vetëm të dëgjoj mirë, sepse Shqipëria është nëna ime. Dhe unë e dua edhe kur është keq. Se nëna duhet kur është keq, se kur është mirë është shumë kollaj ta ledhatosh dhe ta përqafosh. Kështu që Shqipëria mendoj se ecën para. Besoj se palët do gjejnë gjuhë të përbashkët, pasi kështu bëhet mirë për Shqipërinë. Kështu bëhet mirë për shqiptarët. Duhet të realizohen aspiratat e shqiptarëve. Shqipëria është në NATO dhe po hedh hapa drejt BE. Ne gëzohemi për çdo sukses të Shqipërisë, por unë nuk mund të jap këshilla dhe vlerësime, pasi janë politikanët shqiptarë ata që e dinë se ku dhemb dhëmbi.

-Por nuk mendoni se kriza politike në Shqipëri po pengon hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut? Pasi të dyja shtetet po ecin paralelisht, ose siç e thatë ju janë në një `pako`.

Shqipëria ka qenë njëra nga aleatët dhe miqtë tanë më të mëdhenj dhe lobistët më të mëdhenj të anëtarësimit në NATO. Mendoj që ne e përkrahim në momente të caktuara njëra-tjetrën.

-Çështja e fundit që dua t`ju pyes është ajo e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ju jeni aktivë në këtë çështje, ndërsa dua t`ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë: Duhet apo jo të ketë korrigjim kufijsh mes këtyre dy shteteve?

Kosova ka organet shtetërore të saj. Është shtet i pavarur, ka president, kryeministër, kryetar Parlamenti dhe ka parti në qeveri e opozitë. Janë ata që vlerësojnë dhe vendosin për të ardhmen e tyre. Ne na intereson që në Kosovë të ketë stabilitet të qëndrueshëm. Ne na intereson që rajoni të jetë i paqtë. Sigurisht që janë zhvillime që duan angazhim shumë të madh. Është një proces goxha i rëndësishëm. Bëhet fjalë për bisedime, negociata, për të rregulluar marrëdhëniet me një vend që për 100 vitet e fundit jemi vrarë dhe jemi prerë. Pra, ka shumë kritikë. Ka shumë veprime që janë bërë nga pala e Serbisë. Ky është një proces që gërvisht mbi plagë të vjetra. Dhe kur prek mbi plagë të vjetra dhimbja është shumë herë më e madhe se kur shkaktohet plaga. Prandaj duhet qasje me shumë kujdes. Duhet shumë komunikim dhe bashkëpunim i brendshëm. Gjithashtu duhet komunikim me komunitetin ndërkombëtar. Pa ata që na ndihmuan në çlirimin e vendit, SHBA dhe BE, unë mendoj se nuk mund të përmbyllet ky program.

Marketing