Ahmeti: Më 30 shtator, ne do t’i themi PO Evropës dhe NATO-së

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në kuadër të fushatës për referendumin nga Tetova bëri thirrje se ky është një moment i rëndësishëm historik duke rikujtuar deklaratën e tij të mëparshme të para gjashtë viteve se situata në Ballkan ka qenë e trazuar duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar dhe forcat më të mëdha politike angazhim më të madh për të ju dhënë fund problemeve pasi rrezikoheshim nga Ukraina dhe ajo nuk është larg.

Marketing

“Asokohe ca me cinizëm qeshën ca të tjerë nuk dinin ku është Ukraina dhe ku është Krimeja. Ca të tjerë shihnin ëndrra. Sot një pjesë e Ukrainës është nën pushtim, sot Ukraina ndodhet në luftë, Krimeja e okupuar. Pikërisht kjo ka qenë arsye e fundit për tu bërë hapi i duhur që të bëhemi pjesë e familjes Evropiane dhe pjesë e familjes ushtarako-politike të quajtur NATO,” u shprehë kreu i integristëve, Ali Ahmeti.

Lideri i partisë Ali Ahmeti theksoi se të gjithë duhet të punojnë me guxim sepse më 30 shtator, sipas tij, votohet për paqen, stabilitetin, marrëdhëniet më të mira ndëretnike, zhvillimin ekonomik, për një të ardhme më të mirë dhe për atë që të rinjtë të cilët tani largohen në vendet e tjera të qëndrojnë këtu.

“Duhet të punojmë me përkushtim që të gjitha partitë politike, pavarësisht nga kombësia e tyre. Veçanërisht i bëj thirrje VMRO-DPMNE-së të marrë pjesë në fushatën e referendumit, sepse ata gjithashtu duan marrëdhënie më të mira ndëretnike. Ky referendum është referendum uniteti për maqedonasit dhe shqiptarët, sepse për herë të parë ata kanë një kauz të përbashkët për anëtarësim në BE dhe NATO. Ka vende në lindje të cilat nuk duan paqe, stabilitet dhe nuk duan që rajoni të lëvizë drejt Evropës, por duan që ai të mbetet i destabilizuar”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se për fat të keq ka parti politike maqedonase dhe madje edhe shqiptarë të cilët, siç tha ai, i shërbejnë kësaj errësire nga lindja.

Sipas tij, e vetmja rrugë është NATO-ja dhe BE-ja. Ai beson se nuk është e vërtetë ajo që disa maqedonas mendojnë se do të humbasin identitetin, kulturën dhe gjuhën e tyre.

“Përkundrazi, me anëtarësimin tonë në NATO dhe në BE, vendi ynë po forcohet, identiteti po forcohet, ndërsa jashtë NATO-s dhe BE-së ky vend nuk mund të mbijetojë”, tha Ahmeti.

Marketing