Ahmeti – Palmer: Liderët e Ballkanit Perendimor të zgjidhin çështjet e vështira politike

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti sot në Ohër në kuadër të ditës së dytë të Forumit të Prespës për Dialog, ka realizuar takim edhe me Matthew A. Palmer, Zëvendës ndihmës i Sekretarit të shtetit Amerikan për Europë dhe Euroazi.

Marketing

Kontesti mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë ishte temë e bisedës mes Ahmetit dhe Palmer në frymën e vazhdimit të bashkëpunimit dhe partneritetit të mirë me miqtë ndërkombëtar, derisa Ahmeti ka kërkuar angazhimin e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjidhjen e këtij ngërçi në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Ahmeti gjithashtu e ka biseduar me Zëvendës ndihmësin e Sekretarit të shtetit z. Palmer, lidhur me zhvillimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kushtet për të nisur bisedimet me Bashkimin Europian.

Në kuadër të takimit, Ahmeti dhe Palmer kanë diskutuar edhe mbi çështjen mes Prishtinës e Beogradit dhe nevojës së zgjidhjes së shpejtë të këtij kontesti, që do t’i jepte fund marrëdhënieve të ngrira dhe një stabilitet të qëndrueshëm në gjithë rajonin.

Diplomati amerikan po ashtu në margjinat e këtij forumi ka porositur liderët e vendit dhe rajonit që të ndërmarrin aktivitete të vërteta, të vazhdojnë me reforma të vështira, të punojnë në mënyrë konstruktive që të zgjidhin çështjet e vështira politike, t’i përforcojnë institucionet multietnike, demokratike dhe gjyqësore dhe të nisen drejt një ardhmërie me shumë prosperitet.

Marketing