Ahmeti: Pas ratifikimit, negociatat për integrimin

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha se ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës edhe nga Parlamenti i Greqisë ka nxjerrë përfundimisht në horizont integrimin euro-atlantik të vendit. Kjo për shkak se, argumenton ai, parakusht për këtë ishte pikërisht zgjidhja e çështjes së emrit.

“Kjo është një proces që ka zgjatur një çerek shekulli sigurisht që ka momente dëshpërimi por sigurisht që pjesa më e madhe përjetojnë gëzim sepse ne kemi patur vetëm një alternativë, zgjidhjen e çështjes së emrit, si domosdoshmëri që të hapet prespektiva, të fillojnë negociatat, të fillojnë bisedimet për anëtarësim të vendit në NATO, për anëtarësim të vendit në BE”.

I pyetur për raportet në koalicionin qeverisës pas deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev se ka mosmarrëveshje, kreu i integristëve thotë se nuk e ndanë një vlerësim të tillë me të parin e qeverisë.

“Në koalicionin qeverisës nuk ka mosmarrëveshje. Unë nuk e di se në ç’kontekst e ka thënë zoti Zaev. Komunikimi dhe bashkëpunimi mund të them që është i mirë në kuadër të normalitetit sigurisht që mund të ketë dallime për çështje dhe pika të caktuara, por kjo është normale, dallime ka dhe në mes një partia politike dhe jo më në mes partnerëve që kanë frontet e tyre të veçanta në veprimtaritë politike”.

Zoti Ahmeti, duke folur për zgjedhjet presidenciale, ka ritheksuar qëndrimin e tij të njohur për një president konsensual dhe pohon se LSDM e BDI nuk janë larg përcaktimit të një kandidati të përbashkët, por thotë se ende është herët të flitet për emra konkretë.

“Ka nevojë vendi për të parin që ta ketë njeri që afron, që përbashkon dhe jo njeri që ndan. Unë mendoj që në përgjithësi partnerët e koalicionit janë të bindur në këtë koncept, si koncepti më i shëndetshëm për vendin”.

Në këtë rrafsh, kryetari i BDI-së ka komentuar edhe angazhimet e opozitës shqiptare që në këto zgjedhje të dilet me një kandidat shqiptar.

“Unë mendoj që tani kanë kaluar kohërat e spektakleve, të akrobacioneve dhe fushatave të bujshme me një vokabular ta quajmë të lartë, patriotik, e filozofik. Mendoj që sot duhet të jemi shumë më racionial, më shumë objektiv, në këto rrethana ku jetojmë. Të mos jemi emocionalë dhe të bëjmë zgjidhje të mira, praktika, të dobishme për qytetarët”.

Lidhur me gjasat që bashkë me presidencialet të organizohen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, numri një i BDI-së, deklarohet kundër me arsyetimin se jo që partia e tij ka frikë të dalë në mejdan, por se organizimi i tyre konsumon kohë edhe për të bërë realitet çeljen në qershor të negociatave për aderim me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.

“Temat të vështira, të cilat kërkojnë zgjidhje tash e çerek shekulli tani më janë përmbyllur dhe ekzekutivi i Maqedonisë, kryeministri duhet të dalin me axhendë shumë më pragmatike në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, hapjes së vendeve të reja të punës dhe jo të mendohet në drejtim të zgjedhjeve të parakohshme. Unë jam parti politike dhe e them me sinqeritetit mn më të madh, nëse dikujt i konevnon për t’u organizuar të parakohshme, nëse unë shoh interesin e partisë time mua më konvenon të organizohen sa më parë në zgjedhje të parakohshme. Por në këtë rast unë mendoj më shumë për interesat e qytetarëve, për interesat e shtetit, se sa të përfitoj unë si parti politike”.

Në intervistën ekskluzive për TV Klan, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka folur edhe për tensionet dhe negociatat mes Kosovës e Serbisë dhe për zërat se mund të ketë një korrigjim kufijsh, por edhe shkëmbim të popullsisë. Thotë se normalizimi i marrëdhënieve shqiptaro-serbe, sado i dhimbshëm, është një proces i pashmangshëm.

“Sigurisht që pa u stabilizu, marrëdhëniet Kosovë-Serbi nuk mund të ketë progres në drejtim të njohjes ndërkombëtare të shteit të Kosovës. Është një proces i vështirë, por autoritetet në Kosovë kanë legjitimitetin që këtë proces ta shpien drejt përmbylljes dhe Kosova sa më parë të jetë i njohur edhe si subjekt ndërkombëtar. Nuk ka proces të padhimbshëm. Nuk ka kompromis që i gëzon palët. Mendoj që negociatat do vijnë dhe do të shpien drejt kompromisit. A do ketë korrigjim, apo do ketë ndryshim kufiri? Kjo varet tërësisht nga negociatat që do bëhen dhe unë mendoj që negociatat duhen bërë mjaft thelbësore. Mendoj që mundësisht kompromisi sa më pak i dhimbshëm, por nuk mendoj që do jetë e lehtë për palët”.

Ahmeti gjatë këtij prononcimi për televizionin tonë tha se gjatë muajve që vijnë në partinë e tij do të ketë edhe riorganizime në mënyrë që BDI, tha ai, të vazhdojë të jetë artikuluese dhe zbatuese e aspiratave të shqiptarëve në Maqedoni, pavarësisht sfidave të pranishme.

evn