Ahmeti priti Ambasadorin e BE-së Gir: BDI është partner i Evropës

Sot në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, kryetari
Ali Ahmeti, ka pritur në takim pune Ambasadorin e Bashkimit Evropian në
Maqedoninë e Veriut, z. Dejvid Gir.
Bashkëbiseduesit diskutuan rreth zhvillimeve politike në vend dhe në
rajon, proceset aktuale që po zhvillohen në vendin tonë, reformat
strukturore si dhe ecurinë tonë drejt hapjes së negociatave për
anëtarësim në Bashkim Evropian.
Kryetari Ahmeti foli rreth kontestit midis vendit tonë dhe Bulgarisë në
lidhje me marrëveshjen e fqinjësisë së mirë dhe zbatimit të obligimeve
të cilat po qëndrojnë si pengesë në rrugën tonë integruese.
z. Ahmeti vlerëson që nuk jemi larg marrëveshjes me Sofjen dhe që palët
do ti respektojnë obligimet e ndërmarra, dallimet duhet të afrohen dhe
të tejkalohen sa më shpejt për të filluar bisedimet për anëtarësim në
Bashkimin Evropian.
Me marrëdhënie të mira në vend dhe me fqinjët, sigurojmë të ardhmen,
stabilitetin, sigurinë dhe perspektivën tonë Evropiane, prandaj dhe nuk
duhet të kursejmë përpjekje për ti tejkaluar të gjitha pengesat.
Ambasadori Gir theksoi nevojën e vijimit intenziv të reformave në vend
në muajt vijues për të përmbushur standardet evropiane në vend, ndërsa
kryetari Ahmeti nënvizoi patjetërsueshmerinë e reformave të cilët bëhen
për të mirën e qytetarëve tanë.
“Ne jemi partnerë tuaj z Ambasador,” tha z. Ahmeti. Ashtu siç kemi qenë
partner i BE-së, NATO-së dhe SHBA-ve për t’i zgjidhur të gjitha
çështjet, ashtu edhe do të mbesim krah për krah me juve në reformat
sepse sundimi i ligjit është parakusht për të gjitha reformat.
Sundim i mirëfilltë i ligjit sigurohet nëpërmjet të verifikimit të
tërësishëm të të gjithë politikanëve, gjykatësve dhe prokurorëve, pa
aspak tolerancë dhe me shumë përkushtim.
Bashkëbiseduesit folën edhe për procesin e regjistrimit të popullatës
dhe z. Ahmeti theksoi rëndësinë që ka regjistrimi i diasporës dhe
përfundimi i suksesshëm i regjistrimit rezident, ndërsa këmbyen mendime
edhe për 20 vjetorin e marrëveshjes së Ohrit si dhe zgjedhjet e ardhshme
lokale në tetor të këtij viti.
z. Ahmeti përsëriti që të gjitha sukseset tona janë të përbashkëta me
komunitetin ndërkombëtarë, duke nisur nga Marrëveshja e Ohrit,
standardet euroatlantike, integrimin në NATO dhe bashkë do të vijojmë në
drejtim të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Marketing