Askush nuk i thërret qytetarët e Irlandës së Veriut si “irlandez të veriut”, por ata thjeshtë në botë njihen si “irlandezë”. Ky është një shembull që hedh poshtë deklaratat se, Marrëveshja e emrit me Greqinë mohon dhe dëmton identitetin e qytetarëve maqedonas. Kështu në një intervistë për TV24 ka thënë kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ndërsa është shprehur i sigurt se qytetarët e Maqedonisë pozitivisht do ti përgjigjen referendumit dhe dinë të mendojnë se si krijohet e ardhmja.

“Unë nuk besoj se më 30 shtator të gjitha partitë politike kanë obligim ligjor dhe moral të punojnë për shtet të së drejtës dhe të zhvillimit. Unë nuk shoh arsye që ata të jenë indiferent, sidomos kur bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit. Kundër kujt janë ata? Kundër zhvillimit të ekonomisë? Kundër perspektivës evropiane dhe mirëqenies së qytetarëve? Çfarë duan të arrijnë nëse janë kundër? Duan ta kthejmë vendin mbrapa?”, ka thënë Ahmeti, duke aluduar në thirrjet për votim “kundër” dhe bojkot nga opozita maqedonase VMRO, si dhe nga Lëvizja e ashtuquajtur “Bojkotoj”.